Vexhi Buhraja, njeriu, poeti, dijetari. – Nga Zylyftar Hoxha

12 maj 1920 – U lind Vexhi Buharaja, figurë e shquar në shumë fusha, atdhetar, dijetar, poet, përkthyes orientalist, shkrimtar, historian dhe studiues

Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 si një nga studentët më të dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20 vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar në Tiranë. Në vitin 1944 u largua nga Tirana, për shkak të rrethanave të vështira të luftës dhe qëndroi në vendlindje, në Berat, tek familja e tij. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944, për pak kohë punoi në Berat si referent në Shtëpinë e Kulturës. Një ditë, në vitin 1946 burgoset, me akuzën se bënte propagandë kundër qeverisë komuniste të Shqipërisë.
Pasi doli nga burgu, u detyrua të bëjë punë të rënda fizike për të mbijetuar. Vexhi Buharaja, ky njeri i rrallë, të gjitha vështirësive iu bëri ballë. Në vitin 1965 e pranuan në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Vexhi Buharaja me punën e tij këmbëngulëse, kërkimore, studiuese, hulumtuese, sistemuese, mblodhi, përktheu në shqip, transkriptoi rreth treqind mbishkrime turko-osmano-arabe, me vlerë të madhe. Duke u mbështetur në këtë material, ai ka shkruar studimin me titull: “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, të cilën e ka lexuar si kumtesë në Konferencën e Dytë Shkencore të Studimeve Albanologjike, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 12-18 janar 1968.
Ka përkthyer një varg përkthimesh të tjera që i përkasin periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, manifestin “Ujanallem” (“Të zgjohemi”) 1899, hartuar nga Dervish Hima, letërkëmbimin e tij me dr.Ibrahim Temon, i përbërë prej 64 letrash, që përfshihet në vëllimin e tretë (1900-1908) “Rilindja Kombëtare Shqiptare”. Vexhi Buharaja, përveç dokumenteve historike, ka përkthyer nga gjuha turke e perse edhe vepra të tjera shkencore dhe letrare. Ka përkthyer veprat shkencore të Hoxha Hasan Tahsinit, rektorit të parë të Universitetit të Stambollit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e poetit të madh të Persisë, Firdeusit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat” (“Ëndërrimet” dhe “Katër stinët”) të poetit Naim_Frashëri Këto vepra të përkthyera nga Vexhi Buharaja janë vlerësuar si perla në letërsinë artistike shqiptare. Ka përkthyer nga persishtja veprën “Gjylistani dhe Bostani të poetit të madh persian, Saadi Shirazi (1203-1291), i krahasuar me Shekspirin, madje i mbiquajtur “Shekspiri i Lindjes”. Prof. Eqrem Çabej kur e lexoi “Gjylistanin” vlerësoi jo vetëm tekstin e shqipëruar, por edhe studimin hyrës dhe fjalorin përkatës enciklopedik të përbërë prej 110 zërash që shoqërojnë veprën dhe tha: ”Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimet sqaruese dhe fjalori enciklopedik, që Vexhi Buharaja të meritonte një gradë shkencore”.
Përveç qindra përkthimeve të dokumenteve historike, përveç përkthimeve të kryeveprave letrare botërore, përveç përkthimeve të veprave shkencore, Vexhi Buharaja ka shkruar e botuar edhe punime, studime historike, filozofike, islamo-mistike si “Lufta e Qerbelasë, Haxhi, etj., të cilat janë botuar në revistën “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, Njeriu” gjatë viteve 1938-1944 etj.
Në muajin maj të vitit 1975, Vexhi Buharaja u pushua nga puna dhe u dëbua nga Instituti i Historisë në Tiranë si njeri i “padëshirueshëm”. Diktatura komuniste, që në vitin 1946 e arrestoi, e burgosi, e persekutoi, e përbuzi, e nënçmoi, e dënoi, dhe në vitin 1975, pas një veprimtarie me rezultate madhështore, e dëboi edhe nga puna në Institutin e Historisë këtë shkencëtar të madh. Ndërroi jetë në vendlindje, në Berat, me 5 Korrik 1987, në moshën 67 vjeçare, por pas tri vitesh ai sikur u ringjall në kulturën shqiptare.
Në vitet e demokracisë emri dhe vepra e Vexhi Buharasë u përtëri, hyri në histori. Më 20 dhjetor 1993 iu dha titulli “Mësues i Popullit” (post mortum), kurse me 6 korrik 1994, biblioteka e qytetit të Beratit mori emrin: Biblioteka “Vexhi Buharaja”. Studiuesi Ahmet Kondo ka shkruar për të monografinë “Vexhi Buharaja, njeriu, poeti, dijetari 1920-1987”
Poezi
Vexhi Buharaja, krahas të tjerash ishte edhe një poet. Në konkursin letrar që u shpall me 1 janar 1942, kur ishte 22 vjeç, ai fitoi çmimin e parë me poezinë “Përpara Tomorit”. Më poshtë po japim poezinë kushtuar Heroinës së Popullit Margarita Tutulani:
Margaritës
… la vita che mi desti, ecco ti rendo!
Leopardi
Zbardhi shpata,
… u nxi dita,
Ra një trup,
… u ngrit një emër,
Ra dëshmore Margarita:
Doli burri nga një femër.

Rëndoi dora italiane
Mbi një vashë zemër – djali,
Mbylli jetën kjo Titane
Për t’ u çelur ideali.

Vdekjen afër duke parë, .
„Qeshu jetë ! – zu të thotë
-Për lirinë, që, duke qarë
E kërkove nëpër botë!”

Pse po qan nënoja vallë?!…
Për të rrojtur vdiq një femër;
U shua plumbi mu në ballë;…
Ndezi ylli mu nëzemër…

Më i thellë se nga deti
Më e fort’ se rreze e dritës,
Më lëkundës se tërmeti
Është zëri i Margaritës.

Nëno, moj, pusho ti lotin!
Nuk ka vdekur ndënë dhetë,
Është gjallë, moj, për Zotin,
Po shkrep zjarre përmbi retë….

Shënim:
Kush është interesuar të dijë më tepër për këtë personalitet të madh të kulturës shqiptare, me dashamirësi do t’i rekomandoja një botim serioz, gati shterues për të, që është ai i Yzedin Himës, “Vexhi Buharaja pa mite dhe mjegull”

VINI RE!

Ndalohet riprodhimi i plot ose i pjeseshem i ketij punimi pa lejen e autorit, kjo ne baze te Ligjit Nr. 35/2016, datë 31.3.2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to.