Te rrapi në Mashkullorë, foli Çerçizi me gojë”!… Nga: Zylyftar Hoxha

17 mars 1908 – U zhvillua Lufta e Mashkullorës, një nga betejat e rëndësishme të çetës së Çerçiz Topullit

Lufta e Mashkullorës (18 mars 1908) ishte një nga betejat më të rëndësishme të çetës së komanduar nga Çerçiz Topulli kundër ushtrive osmane. Pas vrasjes së komandantit të xhandarmërisë së Gjirokastrës, forca të shumta osmane, të dërguara nga valiu i Janinës për të ndjekur çetën shqiptare, e rrethuan këtë në fshatin Mashkullorë të Gjirokastrës. Aty u zhvillua një betejë e pabarabartë dhe e ashpër. Një grup luftëtarësh të çetës u bënë ballë gjatë një dite të tërë sulmeve të pareshtura të forcave turke dhe mundën ta çanin rrethimin. Nga luftëtarët e çetës mbeti i vrarë Hajredin Tremishti, kurse ushtria turke humbi 20 veta.
Lufta e Mashkullorës tregoi se ç’mund të bëjë një grusht idealistësh trima kundër një Dovleti të tërë, që përpiqej të mbante akoma nën këmbë një popull trim. Ahuri i rënë i Mashkullorës është akoma edhe sot, që të vërtetojë fjalën e një francezi të madh, Maurice Barres, se “Ka vende ku fryn era e trimërisë”. Këtu çdo gur që shkel njeriu ka të kallzojë një histori dhe të tregojë një trimëri.
Me rastin e përvjetorit të Luftës së Mashkullorës, më 18 Mars 1934 në Gjirokastër u përurua busti i kryetrimit shqiptar, Çerçiz Topulit, vepër e skulptorit Odise Paskali. Busti u financua prej atdhetarëve gjirokastritë e më gjerë, sepse shteti ktheu përgjigje negative për financimin e tij. Atdhetarët gjirokastritë prunë nga Shkodra eshtrat e Çerçizit dhe u vendosën në vendin që sot quhet “Varrezat e Rilindësve”.
Luftën e Mashkullorës e përshkruan edhe kënga popullore, që është me të vërtetë një kronikë e asaj kohe:
Doli Shkurti hyri Marsi
Në Gjirokastër u vra bimbashi
Të vranë, bimbash, të vranë
Hitoja me Bajramnë
………………………………
Te rrapi në Mashkullorë
Foli Çerçizi me gojë
Mylazim largo taborrë
leri djemtë e mi, të shkojnë
se do t’ju kuq t’ju bëj, more, me bojë…

VINI RE!

Ndalohet riprodhimi i plot ose i pjeseshem i punimi pa lejen e autorit, kjo ne baze te Ligjit Nr. 35/2016, datë 31.3.2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to.
(Grafiti nga Ben Bellaja)