LEVIZJA DUMBABISTE (TURKOMANE) E MUSA QAZIMI, LEVIZJE ANTISHQIPTARE (1914)- Prof. Abas Ermenji

Turqia nuk desh t’a njihte pavarësinë e Shqipërisë dhe se Turqit e Rinj, kur zunë t’afrohëshin me Bullgarët, i shtuan përpjekjet për t’a tërhequr n’anë të tyre popullin shqiptar, duke i premtuar çlirimin e krahinavet të robëruara dhe autonominë ndën një princ mysliman. Beqir Grebeneja dhe agjentët e tij, përveç ndër turkomanët, u përpoqën t’a bënin të pranuarshme këtë politikë edhe në qarqet e atdhetarëvet që nuk shihnin tjetër udhë-daljeje nga gremina ku e hodhën Shqipërinë Lufta ballkanike dhe Konferenca e Londrës. Mirëpo ngjarjet rrodhën ndryshe, alianca turko-bullgare mbeti gjë e vakët Shqipëria u vu ndën kontrollin ndërkombëtar dhe si princ i saj u caktua Vidi. Me kokëfortësinë e tyre djallëzore dhe duke i ditur ndjenjat e një pjese të Shqiptarëvet, Turqit e Rinj nuk hoqën dorë nga përpjekja për t’a futur përsëri Shqipërinë në rrethin e Perandorisë Otomane. Por këtë radhë puna e agjentëvet të tyre u kufizua ndër turkomanët, sidomos të Shqipërisë së Mesme, ku ata kishin organizuar me kohë komitete të fshehtë dhe ku fanatizmi fetar mbahej m’i fortë. Idenë dhe ndjenjat për një “princ mysliman” i kishte nxitur në këtë krahinë edhe Esad Toptani, me qëllim që t’i shfrytëzonte n’interes të tij. Po kur ky shkoi t’i shpinte kurorën Vidit dhe u bë ministër i këtij princi “kaur”, e humbi besimin tek fanatikët myslimanë. Ndryshe, “lëvizja fshatare” do të kishte pasur në krye Esad Toptanin, çifligarin më tiranik të Shqipërisë. Pra megjithse Esadi kishte ndihmuar në pregatitjen psikologjike të kryengritjes, nuk ishte ai që e shtyti. Ajo u shtyt e u drejtua prej agjentëvet turq dhe prej turkomanëvet. Pastaj u bë shesh intrigash për të gjithë armiqtë e Shqipërisë që donin shkatërrimin e shtetit shqiptar. Ndonëse prapa skenës vepronin agjentët turq dhe aventurierë t’ardhur prej visesh të ndryshme (në Tiranë, për shembull, organizonjësi i lëvizjes ishte Arif Hiqmeti nga Tetova), në krye të rebelizmit u dukën myftiu i Tiranës Musa Qazimi, Mustafa Ndroqi dhe Haxhi Qamili nga katundi Sharrë i Tiranës.

Më 3 Qërshor 1914, Rebelët bënë një mbledhje në Shijak, ku caktuan programin e tyre dhe ndanë detyrat. Ata donin largimin e Vidit, këthimin e Shqipërisë ndën Turqinë ose ardhjen e një princi mysliman i varur prej Sulltanit, ngritjen e flamurit të Turqisë, futjen e turqishtes si gjuhë zyrtare ose shqipja të shkruhej me abecenë arabe, dhe emërimin e kryemyftiut të Shqipërisë nga Sheh-yl-Islami. Si kryetar i lëvizjes, ose i qendrës së përgjithshme, u zgjodh Mustafa Ndroqi, dhe si kumandar i fuqivet t’armatosura, Haxhi Qamili. Por kryetari i vërtetë i lëvizjes rebele ishte myftiu i Tiranës, Musa Qazimi.

Mbasi nuk e muarën dot Durrësin me sulmin e parë, Rebelët u shtrinë brenda pak ditësh në Kavajë, Krujë, Peqin. Qeveria e Durrësit nuk kishte fuqi të mjafta për t’i hedhur kundër tyre në mësymje të përgjithshme. Princ Vidi bëri thirrje për ndihma nga të gjitha anët, por vetëm nga veriu mundën të vinin disa fuqi të pakta. Shqipëria e jugës ishte e zënë kundër Grekëvet. Në Durrës, përveç gjindarmërisë dhe disa atdhetarëve që rrokën armët si vullnetarë, kishte vetëm një forcë Kosovarësh me Isa Buletinin dhe Bajram Currin e nja 600 Mirditas me Prenk Bib Dodën. Në një sulm që bënë këta të fundit, patën mjaft humbje. Qeveria provoi të merrej vesh me Rebelët dhe dërgoi një komision në Shijak. Por ata vinin si kusht zëvendësimin e Vidit me një princ mysliman dhe këthimin e Shqipërisë nën mvarësinë e Sulltanit. Luftimet rifilluan nga mesi i Qërshorit. Rebelët e sulmuan Durrësin me tërbim nja dy herë, por u prapsën duke pasur mjaft humbje. Në një nga këto përpjekje u vra Koloneli holandez Thomson i gjindarmërisë shqiptare.

Duke parë se s’mund t’a merrnin dot Durrësin, Relebët u shtrinë n’anë te tjera të Shqipërisë, nga veriu e nga juga. Pushtuan Elbasanin, më 23 Qërshor, pastaj Lushnjën, Beratin, Fierin dhe, nga ana e lindjes, arritën gjer në Pogradec. Aty u përpoqën me çetën e vullnetarëvet Kolonjarë, dhe n’ato luftime u vra Gani Butka, i biri i Saliut. Por n’atë kohë Grekët, duke përfituar nga rrëmuja, e shkelën Protokollin e Korfuzit dhe u vërsulën mbi krahinat e Tepelenës, Përmetit, Korçës. Prej qendrës së tij në Pogradec, Haxhi Qamili bëri një marrëveshje me “Vorio-Epirotët”, që të dy palët të mbanin caqet e tyre.

Në lëvizjen e Rebelëvet, përveç agjetëvet turq që e drejtonin prapa skenës, futën hundët dhe duart të gjithë armiqtë e Shqipërisë. Italia e shtynte dhe e përkrahte me qëllim që të përzinte prej Shqipërie Princ Vidin, të cilit ia kishte bërë qëndresën mjaft të vështirë në Durrës. Serbia e ndihmoi edhe me armë e municione, që iu vinin Rebelëvet përmes liqenit t’Ohrit, sepse n’atë mënyrë mendonte t’a prishte shtetin shqiptar dhe t’i mbyllte rrugën e ndërhyrjes Austrisë. Greqia e shtyti sa mundi, për të paralizuar me anën e saj qëndresën shqiptare dhe për t’ua treguar Orthodoksvet si një lëvizje fetare myslimanësh kundër të Krishterëvet, në mënyrë që këtyre të mos iu mbetej tjetër udhë përveç bashkimit me Greqinë. Të gjithë këta armiq kishin agjentët e tyre pranë Rebelëvet. Kur Kolloneli anglez G. Philips, ish-kumandari i forcës ndërkombëtare të Shkodrës, vajti në Tiranë si ndërmjetës për t’i bindur Rebelët që t’i nënshtrohëshin Vidit dhe qeverisë së Durrësit, u takua me pesë veta, prej të cilëvet njëri iu duk si një prift grek, tjetri si një Turk, dhe asnjë prej të pestëvet, tha ai, nuk ngjante me Shqiptar. Një përshkrim të tollovisë s’asaj kohe e gjejmë në shënimet e Sekretarit të Legatës rumune në Durrës, princi Sturdza, i cili ishte mik i Shqipërisë aq sa luftoi me pushkë në dorë bashkë me Shqiptarët për mprojtjen e Durrësit. “Sot në Shqipëri çdo nismë e mirë, konstruktive, është e dënuar të dështojë- thotë ai. Çfarëdo rruge që të ndjekish, fqinjët e afërm dhe të largët do të t’a bëjnë të pamundur për t’i dalë në krye. Edhe po të jesh i butë e i shtruar, agjentët e huaj do të bëjnë çmos që të t’a prishin mendjen gjer sa të rrëmbesh pushkën e të hidhesh në kryengritje. Mjete, armë e të holla hyjnë nga çdo anë e kufijvet për t’iu shërbyer qëllimevet shkatërronjëse të të huajvet. Vetëm po të duash të luftojsh për çështjen kombëtare si atdhetar i ndershëm, s’të vjen kurrkush prapa, do të gjejsh pengesa nga të katër anët, dhe përpjekja jote do të dështojë në rrëmujën e përgjithshme”.

Dy ditë pas ikjes së Vidit, Rebelët hynë në Durrës, më 5 Shtator, ku vendosën “Këshillin e Përgjithshëm” të tyre ndën kryesinë e Mustafa Ndroqit. I pari vendim që muarën, ishte që të nisnin për në Stamboll një dërgatë, e cila do t’i kërkonte Sulltanit bashkimin e Shqipërisë me Turqinë ose dërgimin e një princi mysliman ndën mvarësinë e tij. N’atë kohë Turqia po i shtrëngonte lidhjet me Austro-Hungarinë, prandaj agjentët e saj iu këshillonin Rebelëvet që të merrnin anën e kësaj fuqie kundër Serbisë. Një komision i ri turk arriti prej Stambolli, për t’i drejtuar forcat e Rebelëvet në përputhje me politikën e Turqisë.

Gjendja në Shqipëri ishte e vajtuarshme. Në jugë, Grekët diqnin e piqnin. Malësitë e veriut kishin rënë n’anarkinë e përhershme, për të pritur riardhjen e Serbo-Malazezve. Një farë qetësie mbretëronte vetëm në Shkodër, ku vazhdonte akoma rregulli që pati vënë Komisioni Ndërkombëtar. Rebelët u përpoqën t’a shtrinin fuqinë gjer këtu, të ndihmuar nga disa turkomanë si Alush Lohja me shokë, por nuk mundën. Në qarkun e Shkodrës ishin edhe Katolikët që loznin rolin e tyre. Prandaj, kur mori fund kontrolli i Komisionit Ndërkombëtar, qytetarët formuan një këshill administrativ vendas duke mbajtur flamurin kuq-e-zi dhe gjuhën shqipe nëpër zyrat. Kështu Shkodra mbeti për ca kohë si e vetëmja strehë e lirë në tokën shqiptare, ku u mblodhën mjaft atdhetarë t’ikur prej visevet të tjera të Shqipërisë.

REFERENCE

1) Pjesa eshte mare nga Libri “Historia e Shqiperise, (Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë)”, autori prof. Abaz Ermenji. Cabej, Tirane 1996. Kapitulli XXIV dhe XXV ( fq. 355, 356, 358, 369, 370 dhe te tjera.

2)Forografia eshte mare nga faqa “Historia Shqiptare – Albanian History”