KARA MAHMUD PASHE BUSHATLLIU – Nga: Prof. Abas Ermenji

Më 1756, në Shkodër vazhdonin trubullimet, sepse Çaushollajt kërkonin të merrnin fuqinë duke përzënë Ymer Pashë Kavajën. Por këtë radhë kishte dalë në skenë një figurë tjetërlloj energjike, Mehmet Bej Bushati. Duke u pështetur në tarafin e vjetër të Begollajvet, e sidomos me ndihmën e esnafit të Tabakëvet, Mehmet Bushati i mposhti kundërshtarët e tij në qytet dhe mori në dorë qeverimin e Shkodrës. Sulltani e njohu mytesarrif, si pas zakonit, dhe i dërgoi titullin pasha. Ky është themelonjësi i Shtëpisë së Bushatlijvet, që mundi t’a qeveriste Shqipërinë e veriut si një principatë pothuajse autonome për 75 vjet, prej 1757 gjer më 1831.

Duke u treguar në fillim si besnik i Portës së Lartë dhe duke përdorur më nj’anë forcën e në tjetrën politikën, Mehmet Bushati ose Mehmet Pashë Plaku, siç është quajtur, vuri qetësi në tërë qarkun e Shkodrës, futi nën sundim Ulqinin, Leshin, dhe e shtriu fuqinë e tij gjer në Shqipërinë e Mesme. Bëri një politikë t’urtë me malësorët duke iu lënë lirinë e vetqeverisjes sipas kanunit të malevet dhe siguroi kështu përkrahjen e tyre. Për të gjitha këto shërbime, Sulltani e nderoi me titullin vezir, që iu dha më vonë edhe Ali Pashë Tepelenës. Djali m’i madh i Bushatliut, Mustafa Pasha u emërua mytesarrif i Dukagjinit, dhe pastaj i Elbasanit. Në këtë mënyrë, Mehmet Pashë Plaku pregatiti në Shqipërinë veriore baza të forta për pasardhësit e tij. Po kur e ndjeu vehten mjaft të fuqishëm, Plaku Bushatli nisi të mos iu mbahej urdhërave të Stambollit, të mos paguante pjesën e t’ardhuravet që duhej t’i shkonin Perandorisë dhe të mos e fshihte qëllimin e tij për t’u bërë sa m’i pavarur. Prandaj thuhet se vdiq i helmuar më 1775.

Në vend të Bushatliut, Sulltani emëroi si mytesarrif të Shkodrës Mehmet Pashë Qystendilin, por Shkodra dhe malësitë nuk e pranuan. Me përkrahjen e vendit, e mori fuqinë Mustafa Pashë Bushati, i biri i Mehmet Pashë Plakut. Porta e Lartë nuk desh ta njihte këtë dhe dërgoi kundër tij një ushtëri, e cila kishte urdhër që “të zhdukte nga faqja e dheut djemtë e fëlliqur të Mehmet Pashë Shkodranit”. Por kjo fuqi u thye dhe u shtrëngua të zmbrapsej. Atëhere për t’i vajtur gjoja fjala në vend, ose edhe me qëllim që t’iu shtinte grindjen në familje, Sulltani njohu si qeveritar të Shkodrës jo Mustafanë, por të vëllanë e tij, Mahmud Bushatin, i cili përmendet në histori me emrin Kara Mahmud Pasha. Ky është figura m’e shquar e Bushatlijvet dhe një nga figurat më të forta që ka nxjerrë Shqipëria gjatë sundimit turk. Vuri rregull në krahinat e veriut dhe deri në Shqipërinë e Mesme, i dha shtytje tregëtisë dhe zejtarisë së vendit, siguroi përkrahjen e malësorëvet duke iu njohur liritë zakonore dhe duke sjellë afrimin midis fevet, mbajti në këmbë një ushtëri të fortë dhe ndoqi kundrejt Portës së lartë një politikë të pavarur. U përpoq të përfshinte në pashallëkun e tij Malin-e-Zi, i cili disa kohë më parë ishte shkëputur nga sanxhaku i Shkodrës dhe Porta e Lartë e kishte lidhur me Bosnjën.

Natyrisht, qeveria e Stambollit e kërcënoi disa herë se do ta hiqte nga fuqia, i shkaktoi trazime të brendëshme dhe shtyti kundër tij pashallarët e tjerë të Shqipërisë, sidomos Ahmet-Kurt Pashën e Beratit. Por Kara Mahmudi i shtypi këto lëvizje, e theu Pashanë e Beratit afër Peqinit dhe e shtroi nën urdhërat e tija të tërë Shqipërinë e Mesme. Sulltani atëhere e shpalli fermanli dhe ngarkoi valiun e Rumelisë, Avdi Pashën, që t’organizonte kundër Bushatliut një shpeditë më të gjerë, në të cilën do të merrnin pjesë edhe fuqitë e Bosnjës. Kara Mahmudi e goditi ushtërinë turke në Kosovë, në Gusht të vitit 1785, edhe e theu plotësisht. Këto fitore e bënë emrin e tij të dëgjuar n’Evropë.

Duke manevruar ndërmjet Austrisë dhe Rusisë që shpeshëherë ishin në luftë me Turqinë, Kara Mahmud Bushati mendoi të krijonte një shtet të pavarur i cili të përfshinte, përveç Shqipërisë së veriut dhe së Mesmes, Malin-e-Zi dhe mundësisht Bosnjë e Herzegovinë. Me këtë qëllim u pështet për disa kohë në politikën e Austrisë. Më 1786, ai mblodhi në Podgoricë një kuvend të përgjithshëm krerësh nga viset shqiptare e sllave që desh të bashkonte dhe bëri me t’a një lidhje nën drejtimin e tij. Për t’u treguar i paanshëm ndërmjet fevet, Kara Mahmudi u betua mbë Kuranin dhe mbë Ungjijtë e të dy Kishavet, katolike e orthodokse. Kjo ishte si një çfaqje e parë e lëvizjes ilirike që u ndie më vonë në disa vise sllave. Austrisë i pëlqyen këto përpjekje për bashkimin e forcave ballkanike kundër Turqisë, e prandaj Perandori Jozefi II i dërgoi Kara Mahmudit si dhuratë një kryq t’ergjëndtë. Ndërkaq, Porta e Lartë e kishte “falur” Pashanë e Shkodrës.

Por më 1787, duke përfituar nga lufta ruso-turke dhe nga largimi i forcavet të Rumelisë, Kara Mahmudi hyri në Kosovë, të cilën desh t’a bashkonte me pashallëkun e tij. Përzuri që andej qeveritarë e nëpunës turq dhe i zëvendësoi me besnikët e vet. Sulltani e shpalli fermanli për të dytën herë dhe ngarkoi Mahmud Pashë Ajdosin që t’organizonte kundër Bushatliut një shpeditë të madhe nga toka e nga deti. Njëkohësisht Porta e Lartë emëroi si mytesarrif të Shkodrës kundërshtarin e vjetër të Bushatlijvet, Mehmet Pashë Çaushollin. Kara Mahmudi iu dolli përpara forcavet të Rumelisë edhe i ndali mbi luginën e Drinit. Nga ana tjetër, malësorët e tij i prenë udhën valiut të Bosnjës që po zbriste drejt Shkodrës. Mirëpo, përbrenda kundërshtarët shqiptarë ngritën krye dhe, në bashkëpunim me flotën turke, zunë Tivarin dhe Ulqinin, në Gusht 1787. I goditur në të dy krahët, Kara Mahmudi u shtrëngua të tërhiqej në Shkodër dhe të mbyllej në kështjellen e Rozafatit. Ndonëse i rrethuar nga të gjitha anët dhe i rrahur me artileri të rëndë, Bushatliu s’e humbi toruan. Me ndihmën e malësorëvet që u shkulën të gjithë, myslimanë e katolikë, për të shpëtuar Bushatlinë, dhe duke përfituar nga urrejtja që po shkaktonin në Shkodër ushtëritë armike me plaçkitjet e përdhunimet e tyre, Kara Mahmudi organizoi një sulm të përgjithshëm prej brenda e jashtë qytetit dhe e shpartalloi rrethimin, më 25 Nëntor 1787. Ushtëria turke u thye e u tërhoq, kundërshtarët shqiptarë u nënshtruan, Mehmet Çausholli u vra prej malësorëvet tek po ikte. Kjo fitore e Bushatliut bëri bujë n’Evropë më shumë se të tjerat.

Porta e Lartë nuk mundi t’i vazhdonte vepërimet me armë kundër Pashajt të Shkodrës sepse ndodhej e mbërthyer me Rusinë. Më 1788 hyri edhe Austria në luftë kundër Turqisë. Ishte rasti që Kara Mahmudi të shfrytëzonte gjendjen e jashtëme për të krijuar një shtet të pavarur ose për t’u bërë mbret i Shqipërisë, siç mendohej n’atë kohë. Prandaj afrimi i tij me Austrinë u tregua edhe m’i ngushtë. Për t’i dhënë përkrahjen Pashajt të Shkodrës, Viena kërkonte që ky të hidhej në luftë kundër Turqisë. Kara Mahmudi mendoi t’i loste zaret në këtë drejtim, por ndeshi në fanatizmin e disa qarqeve myslimane, përbrenda, që s’mund t’a gëlltitnin idenë e luftimit krah për krah me shtetet e krishtere kundër Osmanllisë. Kundërshtimi u çfaq haptazi në Shkodër duke pasur në radhët e tij edhe një të vëllanë e Kara Mahmudit, Ibrahim Pashë Bushatin, njeri pa vleftë e turkoman i bindur i Portës së Lartë. Deri tarafi i Tabakëvet, që kishte qënë qysh në fillim i lidhur me Bushatlijtë, zuri të lëkundej. Kara Mahmudi iu ra me grusht të fortë kundërshtarëvet turkomanë duke varur disa prej tyre, nër t’a edhe kryetarin e Tabakëvet, Tahir Agë Jukën. Bisedimet me Austrinë filluan. Viena dërgoi në Shkodër një komision ushtarak të kryesuar prej të besuarit De Brognard. Kërkesat e saja ishin që Kara Mahmudi me Shqiptarët e tij dhe me forcat malazeze t’i binte ushtërisë turke prapa krahëvet në frontin e lumit Sava. Komisioni bisedoi hollësitë e bashkëpunimit ushtarak dhe i sillte Pashajt të Shkodrës një shumë të hollash për shpenximet e luftës. Kara Mahmudi i pranoi këto kushte, por pastaj ndërroi mendim menjëherë, këputi çdo lidhje me Austrinë dhe i vrau me të pabesë agjentët e saj.

Ky lloj vepërimi i Pashajt të Shkodrës duket i pashpjeguarshëm, por duhet të ketë pasur arësyet e tija. Ka të ngjarë që Kara Mahmudi të mos i ketë zënë besë Austrisë, e cila i kishte gënjyer Shqiptarët disa herë dhe bënte të tjera marrëveshje me Malin-e-Zi ose edhe me mbretin e Napolit, duke i premtuar këtij daljen e lirë në Shqipëri. Ka të ngjarë gjithashtu që kundërshtimi i Myslimanëve fanatikë, përbrenda, t’i jetë dukur mjaft i fortë dhe që agjentët e Austrisë do të kenë dashur të përçanin Katolikët. Për të gjitha këto arësye, Kara Mahmudi do të ketë menduar më në fund se s’kishte tjetër sigurim më të mirë për të veçse të qëndronte i lidhur me Turqinë. Sa për vrasjen e agjentëvet t’Austrisë, ky ishte një vepërim thjeshtësisht makiavelik, për t’iu dhënë provën fanatikëve myslimanë dhe Portës së Lartë se ai këputi çdo lidhje me armikun e Osmanllisë. Kjo punë e shëmtuar ngjau në verën e vitit 1788.

Marrëdhëniet e Kara Mahmudit me Portën e Lartë u ndreqën një vit më vonë, mbasi Turqia, në luftë me Austrinë dhe Rusinë, kishte nevojë për forcat e Pashajt të Shkodrës. Sulltani e fali këtë, sipas zakonit, i dha titullin vezir, dhe e dërgoi në frontin e Bosnjës. Kjo shkaktoi që Malazeztë, me shtytjen e Rusisë u kthyen kundër Bushatliut edhe u vunë të dëmtonin pashallëkun e tij. Në vjeshtën e vitit 1790, Kara Mahmudi e la frontin e Bosnjës edhe u kthye në Shkodër. Por në prendverën e 1791-së, iu desh të shkonte me ushtërinë e tij në Vidin (Bullgari), ku qëndroi deri në Gusht t’atij viti, atëhere kur Turqi e Austri nënëshkruan në Sistovo një paqe të veçantë. Me t’u kthyer në Shkodër, Kara Mahmudi, që nuk i trembej më Austrisë, ndërmori përsëri politikën e tij të pavarur kundrejt Portës së Lartë. Desh t’iu jepte një mësim Malazezve për sjelljet e tyre gjatë luftës dhe t’i lidhte me pashallëkun e Shkodrës, pa marrë parasysh që cënonte në këtë mënyrë kushtet e traktatit të Sistovos. Por fuqitë e tija u zmbrapsën dy herë pa e shtruar dot Malin-e-Zi. Kurse në Shqipërinë e Mesme mundi t’a rivendoste pushtetin mbi disa bejlerë e pashallarë që kishin dashur të shkëputëshin.

Këto vepërime të Bushatliut e shqetësuan prapë Portën e Lartë, e cila i tërhoqi vrejtjen disa herë edhe u vu të bënte kërcënime ose të nxiste fanatizmin fetar për të shqepur rrethin e tij. Një nga ata që u tronditën nga kjo propagandë, ishte i vëllaj i Kara Mahmudit, Ibrahim Pasha, i cili shkoi e u vendos në Stamboll si i nënshtruar i Sulltanit. Sikurse parashihej, Kara Mahmudi u shpall fermanli për të tretën herë, nga mbarimi i vitit 1792, dhe për të kumanduar shpeditën kundër tij u ngarkua valiu i Rumelisë, Ebubeqir Pasha. Njëkohësisht, të gjithë pashallarët e Shqipërisë muarën urdhër që të nisëshin me forcat e tyre kundër Bushatliut. Në verën e vitit 1793, Ebubeqir Pasha, në krye të një ushtërie prej 30.000 vetash, iu drejtua Shkodrës. U nis nga Janina edhe Ali Pashë Tepelena, i cili përfitoi nga rasti për të shkëputur sanxhakun e Ohrit duke vënë aty mytesarrif të birin, Myftar Pashën, me anën e një fermani që nxori prej Sulltanit.

Kara Mahmudi nuk vonoi t’iu delte përpara ushtërivet turke, por u shtrëngua edhe këtë radhë të tërhiqej e të mbyllej në kështjellën e Rozafatit. Ngjarjet u zhvilluan si gjashtë vjet më parë. Me ndihmën e malësorëvet, që jashtë, dhe të qytetarëvet, që brenda, duke dalë edhe vetë prej kështjellës me ushtarët e tij, Kara Mahmudi i bëri ushtërisë turke një mësymje të përgjithshme aq të rreptë e aq të papritur, në zbardhullim të 28 Nëntorit 1793, sa që valiu i Rumelisë, Ebubeqir Pasha, mezi hapi rrugën për t’ikur, i ndjekur gjer përtej Leshit. Bushatliu mbeti përsëri i zoti i vendit.

Duke mos pasur se ç’të bënte, Porta e Lartë e zbuti prapë qëndrimin kundrejt Kara Mahmudit. Pas pak kohe, ky pushtoi Prizrendin dhe pregatitej të bashkonte Kosovën me pashallëkun e tij. Por desh më parë të nënshtronte Malin-e-Zi, i cili i pengonte edhe rrugën drejt Dalmacisë. Prandaj, në verën e vitit 1796, Kara Mahmudi iu fut Malit-të-Zi me një ushtëri të madhe. Por aty, duke qënë vendi i fortë prej natyre, luftimet qenë të përgjakshme, humbjet të rënda, aq sa Bushatliu u vra edhe vetë më 22 Shtator 1796.

Me vrasjen e Kara Mahmud Bushatit, e humbi edhe Shqipëria një farë shprese për t’u bërë autonome ose edhe e pavarur. I vëllaj i tij, Ibrahim Pasha, të cilin Sulltani e emëroi menjëherë mytesarrif të Shkodrës, ishte i paaftë dhe turkoman i nënshtruar i Portës së Lartë. Ky u kthye në politikën e vjetër të bindjes dhe të fanatizmit fetar, duke shkaktuar përcarje ndermjet Myslimanëve e Katolikëve. Qeverisi e qëndroi si vegël e Stambollit. E kënaqur prej besnikërisë së tij, Porta e Lartë ia rriti shkallën dhe e bëri vali të Rumelisë, më 1804. Ibrahim Pasha u dërgua, bashkë me valiun e Bosnjës për të shtypur kryengritjen e Serbvet më 1806. Por aty pati humbje të rënda dhe u largua i mundur prej Serbie. Atëhere Sulltani e shkarkoi për pazotësi nga detyra e valiut të Rumelisë dhe e dërgoi në Shkodër si mytesarrif të thjeshtë. Ibrahim Pasha desh të përzjehej në grindjet e feudalëvet të Tiranës, por as aty nuk i eci. Pas vdekjes së tij më 1810 plasën përsëri trazimet në Shkodër, ku Porta e Lartë emëroi si mytesarrif të birin e Ibrahim Pashës, Tahir Bushatin i cili ishte edhe nga mosha i vogël. Lufta e hapët ndërmjet tarafesh dhe interesash u ashpërsua si një gjysëm shekulli më parë, por këtë radhë i shtynte e i përdridhte konfliktet edhe dora mjeshtërore e Ali Pashë Tepelenës. Më në fund gjendja u qetësua më 1811 kur me përkrahjen e anës më të fortë të Shkodranëvet e mori fuqinë një i nipi i Kara Mahmudit, Mustafa Bushati, i njohur me emrin Kara Mustafa Pasha. Porta e Lartë u detyrua t’i dërgonte fermanin dhe më vonë, titullin vezir. Kara Mustafa Pasha, edhe pse nuk ishte në lartësinë e Kara Mahmudit, mundi t’a qeveriste Shkodrën dhe Shqipërinë e veriut si një principatë gjysëm-autonome gjer më 1831.

REFERENCE

1) Pjesa eshte shkeputur nga libri “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, Abas Ermenji, Shtypeshkronja Cabej, Tirane 1996. faqa 139- 145.