ILIR CENOLLARI – BARDHANIA, LULËZJA E BUKUR SHQIPE

ILIR CENOLLARI – BARDHANIA, LULËZJA E BUKUR SHQIPE

Me një lule të bardhë në dorë, me një fjalë yllëz në buzë, çaj errësirën e shekujve, kridhem në hapësirën e kohës, lëshohem në eter, shkëputem si meteor, vozis nëpër epoka të largëta, shëtis nga një mot në tjetrin. Me një lule, me një fjalë, që ndriçon si llambë, si dritë, si fener, si kandil, si yllëz…, e më udhëheq, më tregon shtigjet, drejtimin e udhëve, e erërave, më prin, më fton në fluturim, më josh në ëndje dëfrimtare.

Bardhania më zbardh shikimin, më kthjellon pamjen, më ndjell hapësirave të pafundme. Bardhania, lulja e lëndinave dhe livadheve tona të hijshme, mishërim i bardhësisë, mirësisë, bukurisë, simbol i çiltërisë, dritës, magjisë…

Lulëza e bukur, si për një tekë të fatit, më shpuri në viset e Janinës, në motin e 1878 – ës. Mendja ime shkreptiu nga ngazëllimi: Bardane! Po, po, bardhësi, bardhane! Në veprën “Mitologjia e bimëve ose legjendat e mbretërisë bimore”, të Angelo de Gubernatis (1840-1913, shkrimtar, poet, studiues, linguist dhe orientalist i shquar italian), lexoj: “Im vëlla, Henri, i cili ishte konsull në Janinë të Shqipërisë, më shkruante si vijon: “Njeriu i prekur nga “aerico”, sëmundje e demonit të tërbimit, shërohet me anë të Bardanes.

Njomim bukën në verë dhe e hapim mbi Bardanen fletëgjerë. Në të njëjtën kohë, prifti hap Ungjillin dhe nëpërmjet leximit përzë djallin. Në këtë rast, Bardania luan të njëjtin rol si bima indiane e sakrificës. Buka e lagur në verë është simbol i sakrificës hyjnore të predikuar nga Euharistia. Në një variant Breton të përrallës angleze të Tom Pusit, heroi i vogël Tomas i shpëton stuhisë me anë të një gjethe Bardane. Papritur ja beh një dem, i cili ha gjethen e Bardanes dhe bashkë me të gëlltit heroin i cili shpëton për mrekulli”.

Një variant i kësaj fabule gjendet në legjendën indiane ku zogu Garuda bëhet përsëri shpëtimtari i madh”. Në këtë rrëfim të Gubernatis shikojmë vetitë magjike të lules së Bardanes. Por historia e lules së bukur s’soset këtu, s’mbaron me kaq.

Kërshërinë time e nxitit më tepër paragjykimi, epitetet fyese, padituria e studiuesve  evropianë për këtë lule. “Fjalë e errët”, “fjalë e pakuptimtë”, “fjalë e largët”, me “origjinë të pasigurt”! Latine?! Greke?! Sllave?! Si ka mundësi, një fjalë që shpërndan dritë, bardhësi, një fjalë yllëz të quhet fjalë “terr”, fjalë “errësirë”, fjalë “mjegull”,  fjalë “natë”!

Kjo fjalë simbol, ka mbi 2500 vjet që ndriçon në mes të qiellit shqiptar: Bardhull! Ylli i Bardhë! Ylli Polar! Dhe ja, një yll tjetër vezullon në brigjet e Anës Tjetër, e Otër-Anës, në Enotri: Bardyllis! Si një kulm i shndritshëm drite, Bardhania çel mbi ujërat magjike të Jonit, në gjirin e Hyllit, të birit të Herkul lavdimadhit! 3300 vjet dritë! Yje dhe dritë! Yje dhe natë, dritë dhe terr, ditë dhe natë!

Bardania, shkruajnë Enciklopeditë Evropiane, është një bimë me kërcell të gjelbër dhe gjethe të gjera, e cila arrin deri në një metër lartësi. Lulet e saj kanë ngjyrë të kuqe të ndezur, me nuance vishnje dhe çelin në muajt korrik-tetor. Rritet nëpër livadhe dhe është e njohur pothuaj në të gjithë botën për vetitë magjike dhe mjekësore. Emri shkencor i saj është “Arctium lappa”. Emri vendas, “rrodhe” dhe “bardhane”! Bardana ka vlera të shquara kurative: antibiotik, antidiabetik, kolerik, diureik, etj. Bardana mjekon një varg sëmundjesh, kuron plagët, ekzemat, tifon, fruthin, infeksionet, reumatizmin, helmimet nga nepërka, tumoret e gjirit dhe gjëndrave limfatike, aneminë, sëmundjet pulmonare kronike, rrufën, rënien e flokëve….

Të gjitha këto cilësi rritën dhe lartësuan emri i saj në shekuj e mijëvjeçarë; fama dhe lavdia e saj shkëlqen me vazhdë të bardhë drite. Bardhania pushtoi botën, emri i saj u përhap nga druidët dhe u bë i njohur, i dashur për të gjithë popujt e botës, e Lindjes, e Evropës, e Azisë, e Afrikës.

Bardania hyri në gjuhët e të gjithë popujve, latinë, baskë, trakë, rumunë, galë, anglezë, gjermanë, sllavë…Barduli, Bardaxena, Bardetus, Bardane…Disa gjuhëtarë përçartin se fjala “bardane” vjen nga latinishtja mesjetare “bardana”, dhe kjo nga latinishtja e hershme “dardana”, e cila nga ana e saj i korrespondon gjermanishtes “daroth”, “dard”, domethënë “dardhë”.

Por të tjerë kërkues të zellshëm mendojnë se “Barde”, “Bardetus”, “Bardatus”, do të thotë “mbulesë”. Kuajt e nisur për në luftë ose për në dasmë, visheshin dhe stoliseshin me “bardatus”; kështu thotë Xenofoni, libri IV, “bardatus”, e bardha e një kali, mbulesa, veshja, stolisja e kalit.

Por italishtja këmbëngul se “barda” është veshja e kalit por edhe vet kali, vet mushka, “Bardati”, “Bardella”. Enciklopedistët frëngë s’mbeten pas. Dërrasat prej druri që mbulojnë çatitë e shtëpisë quhen “bardeau”, fjalë që ka kuptimin e bardhësisë. Fleta e gjerë e bardanes, dikur përdorej si mbulesë për fytyrën, si maskat e sotme të salloneve estetike.

Veprimi i lules qe i mrekullueshëm, lëkura zbardhet, pastrohet, rinohet, merr shkëlqim, merr jetë. Dhe ja përsëri “bardania” del faqebardhë! Fjalën “bardus”, në disa variante, si “bardd”, “bardas”, “bardani”, “bardanus”, “bardonith” e gjejmë te autorët antikë, Straboni, shekulli i parë, Luqiani, shekulli i dytë, Hesichiusi, shekulli i gjashtë.

“Bardesan” quhet një filozof i krishterë i cili braktisi fenë katolike për të ndjekur dogmën e Valentinit. Bardane dhe Bard*, domethënë Bardhan dhe Bardhi, një emër i shpeshtë vetjak gjatë Perandorisë Bizantine, gjeneralë, komandantë, personalitete të larta, shekujt VI – X të erës sonë.

Një shprehje e urtë shqiptare thotë: “Çka bardhaku i nxjerrë barku!”. Ne themi: Zemërbardhësia nxjerrë çfarë ka brenda historia! “Bardhania” më shpie te “Dheu i Bardhë” në viset verilindore të Kosovës, më shpie te “Bardhari” ujë shumë (Vardari i sotëm i Maqedonisë), më shpie te Bardhuinët e Taulantisë, te Bardha, Qyteti i Bardhë i Beratit, më shpie te njeriu i thjeshtë, te mbreti ilir, te rilindasi, te fati i bardhë, te flokët e bardhë dhe kudo gjetkë.

Bardhë, baltë, ballë, balë, balash, bardhësi…Fjala shqipe ka një forcë të tillë që rrok horizontet, që pushton hapësirat, kohën, historinë, gjithësinë, botën, me bardhësi, me dritë! Bardhania të shpie në kohë e vise të largëta, në gjuhë e vende të tjera; fletët e saj të gjera shpërhapen si dorë e shtrirë mbi vitet, shekujt, gjuhët, popujt, vendet e botës, mbi motet e shkuar, të sotëm dhe të ardhshëm.

Gjuha shqipe vërtet flitet nga një popull i vogël por ajo është gjuhë e madhe! Dikur ajo ka qenë gjuhë më e madhe, shumë më e madhe. Mjafton një fjalë e saj, mjafton një lule për të ndriçuar epoka të tëra, për të zbardhur qiellin, për të çarë terrin e dendur të humnerave e humbëtirave parahistorike. Mjafton një fjalë, si bardhania, që të dëshmohet udhëtimi historik i një populli, fytyra e një kombi, magjia e një gjuhe hyjnore.
25. 12. 2012