Dodona pellazgjike – zbulohet një artifakt misterioz në malin e Tomorit me simbolet e dodonës, diellin dhe lisin…Nga Besim Dervishi.

Dodona pellazgjike – zbulohet një artifakt misterioz në malin e Tomorit me simbolet e dodonës, diellin dhe lisin…Nga Besim Dervishi.

Shumë historianë dhe studjues kanë shkruar për Dodonën Pellazgjike. Sipas Herodotit, Zeusi nga Teba e Egjiptit hodhi në ajër dy pëllumba të zinj. Njëri qëndroi në Libi dhe tjetri në Dodonë. Në Dodonë pëllumbi qëndroi në një lis dhe aty filloi të fliste në gjuhën njerëzore. Duke komunikuar me njerëzit që banonin në Dodonë. Ai i njoftoi ata se, pikërishtë aty duhet të ngrihej një vend i shenjtë për Zeusin Pellazgjik. Banorët e kuptuan, se ky ishte një mesazh hyjnor dhe ndërtuan tempullin e Dodonës. Por, ndersa për Tempullin Amon në Libi, studjuesit bien në një mendje për vendndodhjen e tij. Për vendndodhjen e tempullit të Dodonës janë të ndarë: Shumica janë të mendimit se ky tempull ndodhet afër fshatit Dramesi në Janinë, ku dhe janë zbuluar disa rrenoja përfshi dhe një amfiteatër nga studjuesi pasanik nga Arta, Konstandin Karapano me 1887. Por, ka dhe disa studiues të tjerë që mendojnë se Orakulli Dodonës ose Dodona dimërkeqe, dhe e ftohtë (psikri Dodona ose Dhisqimenos Dodona) e pershkruar nga Homeri ndodhet në malin e Tomorrit afër Beratit në Shqipëri, këta janë më të paktë në numër. Ka dhe një variant të tretë, ku shumë studues flasin për disa Dodona.Po të lexohen mirë të dhënat që japin Homeri, Straboni, Herodoti, Pindari dhe të tjerë autorë, shihet qartë se Dodona Pellazgjike është në Tomorin e Shqipërisë. Këtë e tregojnë rrenojat e shumta me mure ciklopik që ndodhen në Tomorr, si në krahinën e Sulovës, në fshatrat Tomorr, Fushë- Peshtan, Selan, Vlushë, Leshnje, Tomorricë etj. Pikërisht këto rrenoja janë bërë objekt studimi nga disa studiues të huaj. Rrënojat pellazgjike në fshatin Tomorr, janë përmendur dhe nga studjuesi britanik Arthur Bernard Cook në librin e tij me titull ‘’Zeus: A Study in Ancient Religion” Vellimi II, pjesa III, Botuar më 1940 në Londër, ku pikërisht në faqen 1171,duke përshkruar disa ekspedita të disa studiuesve britanik në malin e Tomorrit ; midis të cileve dhe Hugh Hunt nga Dublini më 1929, por dhe të një studjuesi me emrin Mr. Mathews i cili midis të tjerave thotë se: ” Në se shkoni sot në Malin e Tomorrit, eventualisht do të gjeni një fshat që vetquhet Tomorr, sipër të cilit janë disa rrenoja të vjetra, të pastudiuara, por që banorët i quajnë qyteti Dodona”. Kjo e dhënë është në përputhje të plotë me të dhënën e studjuesit Perikli Ikonomi në studimin e tij për Tomorrin, ku ai midis të tjerave thotë se: ‘’Qyteza vend në faqe të Tomorrit nga Perëndimi është një vend tepër i fortë dhe shëmbëllen si kështjellë prej natyre, me gurë të mëdhenj si arka. Ai vend gjendet mbi katundin Tomorr poshtë vendit (Maja e Matit) e cila quhet “Çuka e Peljes” dhe “Stradomi” (Saturni Domi). Kjo farë kështjelle natyrore, ndoshta është vendi i fortë që përmend Straboni, duke thënë se Dodona është vend i fortë. Emri “Qyteza” duhet studjuar, sepse përmendja e emrit “Qyteza” mundet të tregojë që aty afër ndodhet Dodona”, ( shih Perikli Ikonomin ). Një tjetër studiues i huaj, i cili ka studjuar rrënojat në Tomorr, ka qenë ish- Konsulli grek në Berat, më 1910 Emanuelis Rikakis. Rikakis ka shkruar një broshurë me titull:” Histori Arkeologji dhe Gojdhëna për Beratin” botuar në Athinë më 1910, ku midis të tjerave në faqen ( 5, 6 , 7 ) duke përmendur Hesiodin dhe Homerin, por dhe duke studjuar vendet arkeologjike në terren. Mendonte se në këtë zonë ndodhen lumi Apsus (Osumi), në njërën anë të cilit ndodhej fisi i lashtë Elimiota (Mallakastër) i cili kufizohej me Beratin, që atëhere sipas tij quhej Orestiadha ( emër që sipas Ikonomit e mori nga Oresti djali i Agamenonit, i cili pasi vrau nënën e tij, u fsheh në rrethinat e Tomorrit). Po në krahun verior të Tomorrit, sipas Rikakis ndodhej fisi i lashtë i Sellve (Selloi), pra në zonën e Sulovës së sotme, ku ndodhen disa qytete me mure ciklopik. Rikakis shpjegon se sot fisi legjendar i Sellve quhet me emrin “Sulovarët”, dhe se këtu afër ka qënë vendndodhja e tempullit të Dodones ( shih E. Rikakis). Të gjitha këto studime janë në përputhje me studimin e rilindasit të fundit Perikli Ikonomi, botuar në 1936-ën, i cili me fakte dhe argumenta vendoste Dodonën në malin e Tomorrit afër Beratit. Sipas Plutarkut të cituar nga Ikonomi; fiset që banonin rreth Dodonës ishin Sellët (Sulova), Enianët (qyteti Eni në Tomorr) Përrevejtë dhe Athamanët, të cilët u dëbuan nga Lapathët stërgjyshërit e Lapve të sotëm. ( kujto lumin Lapardhicë që buron afër Tomorrit, dhe fshatin Lapardha që ndodhet pranë tij). Në terren janë dhe shumë toponime të tjera si: Çuka e Peljes, Saturni, Qafa e Dodonit, Lumi Dodona e të tjera. Por ditët e fundit, gjithë këtyre fakteve i është shtuar dhe një provë arkeologjike e re. Nga një banor i zonës është gjetur në mënyrë të rastësishme një artifakt mbi fshatin Bogovë, tek vendi i quajtur “Shkembi i Dobrushës apo i Selanit”, midis fshatrave Dobrushë dhe Selan, në jug të Malit të Tomorrit, zonë të cilën e përfshin Skrapari, Qarku Berat. Artifakti është material bronzi, i gjatë 13 centimetra,në të vërehet busti i një gruaje, e cila në kokë mban kurorën e lisit të thurur, ndërsa në trup ka dy disqe në formën e dielli. Dr. Ermal H. Baze në një punim të tij ku flitet për ” Të dhëna Arkeologjike për prehistorinë në Qarkun e Beratit ”, në faqen 74 (të cilat i rikonfirmon dhe mësuesi i historisë në vitet ’80 zoti Demir Ago , i cili është personi që kreu gërmimet e para në vitin 1984) thote se: “Vendbanimi prehistorik në fshatin Selan që ndodhet në lugun e kuotës më të lartë të kreshtës shkëmbore të njohur me toponimin “Shkëmbi i Selanit” në verilindje të fshatit me të njëjtin emër. Gërmimin e parë në vitin 1984, e kreu mësuesi i Historisë Demir Ago. Kurse në vitin 1987 u ndërmorën gërmime sistematike nën drejtimin e arkeologut Luftim Ylli, gjatë të cilës u hapën 4 kuadrata me përmasa 4 x 4. Gjatë gërmimeve të fundit u zbuluan mbeturina dyshemeje të shtruar me baltë të pjekur dhe pjesërisht me rrasa guri. Midis gjetjeve u gjetën vegla pune të punuar prej stralli, guri dhe kocke, veglat e strallit si maja shigjetash, sharra, kruese dhe shpuese kanë retush të himët dhe janë prëgatitur nga stralli i cilsisë së mirë. Midis veglave të gurit, dallohen spata dhe çekiç me brimë që i përkasin një tradite më të hershme. Kurse veglat prej kocke, ishin shpuese, fendyer. lëmuese. Bashkë me ato, u gjetën dhe pesë spata bronzi të tipit daltë që datohen në periudhën e bronzit të vonë. Po kështu u zbuluan dhe enë qeramike. Ja si kujton tani zoti Demir Ago: ”Gjatë kohës që unë kam bërë zbulime në varrezat që kam rastisur si në Selan edhe në Dobrushë, ka patur objekte qeramike. Monedha e vetme është gjetur në një varr të prishur nga erozioni. Ndërsa në varrezat e tjera janë gjetur objekte qeramike. Ndërsa copa qeramike ( qypa të mëdhenj) në arat e punuara në zonën Dobrush- Mal, kanë qënë me shumicë. Format e enëve të kujtojnë kulturën e Bronzit të Maliqit”. Vjetërsia e këtij fshati përmendet dhe nga Arkivat Osmane të vitit 1431 cituar nga blogu “Vendlindja ime Skrapari” i cili thotë se: “Selani pëmendet me emrin Seljan. Në rregjistra nuk egzistonte, kishte qënë gërmadhë (rrenoja të vjetra), por më mbrapa qe rilulëzuar. Kishte 18 shtepi, 2 vejusha dhe 1470 akçe si të ardhura vjetore ( shih blogun Vendlindja ime Skrapari artikulli ” Skrapari i viteve 1431. Ja informacionet e rralla të pas pushtimit Osmane). Disa autorë si Poliby apo Livy na japin disa të dhëna interesante, se në zonën e Dasaretve në luginën e lumit Apsus (Osumi), janë të shtrira një sërë qytetesh si Ilion, Antipatrea, Chrysondio, Phoebatis, Gerronium, Codrium, Bargullum, Creonium apo Bantia. (shih “A geographical and historical description of ancient ,V.1, autori John Anthony fq. 75). Midis të tjerave, ata përmendin se: “Pas rënies së një qyteti tjetër të parëndësishëm në duart e romakve i cili quhej ILION. Gjenerali Romak i tërhoqi forcat e tij dhe i ribashkoi me ushtrinë e madhe, apo kryesore në lumin Apsus” (Osumin). Gjatë sqarimit të qyteteve të përmendura në Iliri kryesisht në krahinën e Dasaretve, autori J.A. përmend se qyteti Ilio (pra qyteti i diellit) sot quhet me emrin modern Selio që i përafron shumë emrit Selan, fshati afër të cilit ndodhet vendi ku u zbulua artifakti i gruas me dy disqe në dorë në formën e dielli, dhe kurorën e lisit në kokë të thurur . Ngjashmeria e emrit si dhe figura e diellit të cilët na bëjnë të mendojmë që ndoshta këtu ka qënë qyteti Ilion i përshkruar nga Poliby dhe Livy, por këto të dhëna meritojnë hulumtime më të zgjeruara. Sipas përshkrimit që i ben artifaktit të Selanit, studiuesi Gjergj Zogaj i cili e ka parë nga afër, midis të tjerave ai thotë: ” Ai përbëhet prej materiali Bronz dhe ndoshta është i vjetër mbi 3000 vjetë, është i derdhur në bronz, me sa duket në punishtet e vendit ku është gjetur, dhe e vulos përfundimisht se është Dodonase, sepse mbi kokë ka kurorën me gjethen e lisit të thurur”. Por ky artifakt ka dhe dy “antena” që i ka të vendosura mbi kokë. Ndërsa në dy anët e duarve janë dy disqe në të cilat është i dukshëm shumë qartë simboli pellazgjik i “Diellit”. Në fund tek bishti ka një shenjë misterioze në formë “X”. Fytyra e gruas ka tipare të rregullta, por vihet re se buzët janë pak të trasha. Për çudi, ky artifakt ka ngjashmëri të madhe me luftëtarin Shardan të përmendur nga studiuesi italian Leonardo Melis në librin e tij “Shardanët”. Ky fisë bënte pjesë tek “Popujt e Detit”, disa fise misterioze ku bënin pjesë dhe Peleshët, të përhapur në mesdhe në mijëvjeçarin e tretë. Gjurmë të tyre janë gjetur në Sardenjë, Troy, Qipro, Kretë, Egjipt gjatë kohës së faraonit Ramsie III bile thuhet deri në Palestinë. Shumë autorë theksojnë se fjala Pellazge mundet të vijë nga fjala Pelleng ose Pellgu, pra njerëzit që rrinin pranën Pellgut të mesdheut (shih Neremin Vlora Falaski). Gjë që bën të mundur të besojmë se Popujt e Detit ishin fiset Pellazge që shtriheshin rreth e rrotull Mesdheut. Por gjetja e artifaktit në një zonë të thellë si Tomorri, na bën të dyshojmë për depertimin e Popujve të Detit në një zonë kaq të thellë. Sipas studuesit Perikli Ikonomi, në kohrat të vjetra deti ishte afër Lushnjes së sotme. Prova të tjera janë dhe gjetja e çengelve apo spirancave të anijeve në zonat afër Tomorrit si në fshatin Tomorre ( Qyteza), Fushë – Peshtan (Kalaja), Vodez (Lapardha), Drobonik dhe të tjera vende (shih Perikli Ikonomin). Këto të dhëna na bëjnë të besojmë, se në kohë shumë të lashta, këto zona ishin nën mbretërinë e ujit. Ngjashmëria e artifaktit të Selanit me luftëtarin Shardanë është në këto pika: Artifakti i Selanit ka dy disqe diellore njeëloj si ai Shardanë. Disqet e diellit janë të vendosura në trup dhe ngjajnë me gjinjtë e grave ku dallohen dhe majat e gjinjve. Artifakti Shardanë ka dy antena; po kështu dhe artifakti i Selanit. Por, edhe ndryshimi është shumë i madh: Në artifaktin e Selanit vërehet gati qartë se kemi të bëjmë me bustin e një gruajeje, ndryshe nga artifakti Shardanë, i cili simbolizon një luftëtare. Disqet Diellore janë të ndara, kurse në atë Shardanë të bashkuara dhe formojnë numërin “Tete”. Vijat ku simbolizohen rrezet e diellit janë më të thella, dhe më të rralla tek artifakti i Selanit, ndersa tek atifakti Shardanë më të holla dhe më të dendura. Sytë e artifaktit shardanë janë më të vegjël, kurse te artifakti i Selanit kanë formë të rregullt. Por, ndryshimi që i vë vulën përfundimtare është se, në kokën e gruas tek artifakti i Selanit, është e dukshme shumë pastër “Kurora e Lisit” e thurur. Një fakt interesant është se sipas L. Melis popujt e detit adhuronin bustin e një femre, e cila mbante në dorë dy disqe diellore, dhe quhej nga ata “Nëna e Mesdheut” ose “Mëma e Madhe”. Por ndërkohë dihet se simboli i “Diellit” dhe i “Lisit” , kanë qënë simbole pellazge dhe në veçanti simboli i Dodonës Pellazgjike. Vetë kurora e lisit në kokë e thurur, por edhe simboli i diellit, i vë vulën përfundimtare: se ky artifakt është një simbol Dodonas. Nga kqyerja e tij mundet të kemi të bëjmë me një artifakt i cili është përdorur për zbukurimin e tempujve (ndoshta atë të Dodonës). Mundet që imazhi i gruas në artifakt me kurorën e thurur të lisit në kokë, dhe dy disqet e diellit në dorë, të jetë vetë imazhi i Dodonës
së Tomorrit (Diona). Mundet që imazhi i gruas në artifakt të jetë shëmbëlltyra e njërës nga gratë, ose priftëreshat e Dodonës (Peljus). Që sipas Herodotit, erdhën nga Teba e Egjiptit, dhe ishin tre emrat e të cilave ishin më e madhja “Promeniena”, e mesmja “Nicandra” dhe e vogla “Timarete”. Studuesi Perikli Ikonomi përmend dhe një gojëdhën e cila egziton në zonën e Tomorrit për plakat e Dodonit, ja si thote ai:’’ Peljet ose plakat që përmenden në faltoren e tempullit të Dodonës, i permend dhe popullsia e rrethit të Tomorrit të Shqiperisë. Për ato tri plaka që grarija i respektojnë në fund të Marsit, dhe të parat ditë të Prillit (30 – 31 Mars), dhe (1- Prill) e në vazhdim të çdo moti. Pra, në këto tri ditë të çdo moti kur bie shi dhe bën ftohtë, thuhet se tre plakat u treguan të egra, kur koha shkonte mirë, këto tre ditë thuhet se plakat u treguan të urta dhe të buta. Këto tre ditë të plakave grarija nuk punojnë si për shenjë nderimi. Një lidhje me emrin Pelje dhe Plakë do të këtë dhe vendi i quajtur “Çuka e Peljes” i cili gjendet në majën veriore të Tomorrit (shih P. Ikonomin). Megjithatë duhet të presim bërjen e analizave të artifaktit të Selanit nga institucionet prestigjoze arkeologjike për të përcaktuar moshën e tij, si dhe çertifikimin e artifaktit i cili është një hap shumë i rëndësishëm. Zbulimi i këtij artifakti do të bëje shumë bujë në qarqet akademike, dhe do të jetë një “shuplakë” për kundërshtarët e Dodonës së Tomorrit. Por njekohesisht gjetja e tij është një nxitje për fillimin e hulumtimeve të mëtejshme nga shteti shqiptar në këtë zonë. Rilindasit tanë si Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Naim dhe Sami Frashri, Pashko Vasa, Hil Mosi, Çajupi, Ernest Koliqi, Perikli Ikonomi kanë shkruar një jetë të tërë se, guri i parë i themelit pellazgjikë, pra Dodona Pellazgjike, ndodhet në Tomorrin e Shqipërisë.Në përfundim të këtij shkrimi dua të citoj të autorit Edwin Jasque, i cili në faqen 398- të librit “The Albanians: An Ethnic History from Prehistoric Times to the Present” thotë se: “Edhe pas pavarsisë së Shqipërisë, që u munduan të sigurojnë, patriotët shqiptarë ishin të bindur se zgjidhja e vetme për (mos) përçarjen në dy grupe ndërmjet myslimanve dhe të krishterve, ishte zvëndësimi i fesë me SHQIPTARIZMEN. Kështu që Andon Zako, i cili përdori emrin Çajupi në librin e tij “Mëmëdheu ”(Motherland), përfshiu në të poemën “MALI i TOMORRIT”. Në majën e të cilit ishte një vend i shenjtë, ku shqiptarët e lashtë shkonin të konsultoheshin me (ORAKULLIN E DODONES) shënimi im) rreth të ardhmes së tyre”.

BIBLIOGRAFIA

“Historija e Tomorrit. Dodona Pellazgjike dhe Tomor’i Zotit te Pelazgjevet”- (Perikli Ikonomi) Vlore 1936
“Histori Arkeologji dhe Gojdhena per Beratin” – Emanuelis Rikakis, Athine 1910
“The History of Rome, Volume 4” Autori Titius Livius”(59 B.C- A.D. 17) London 1921
“A geographical and historical description of ancient” ,V.1, autori  John Anthony
“Historia”- Herodoti
The Albanians: An Ethnic History from Prehistoric Times to the Present” Edwin Jasque, USA 1994
“Te dhena Arkeologjike per prehistorin ne Qarkun e Beratit”- Dr. Ermal Baze
“Shardana: I popoli del mare” – Leonardo Melis, Rome 2002
“Ja arkivat e rralle  Osmane per vitin 1431 ne Skrapare” – Blogu “Vendlindja ime  Skrapari”
“Nga Berati ne Tomorr dhe Kthime”- Eqerem bej Vlora, Sarajev 1911
“Pellazgët,Ilirët,Etruskët dhe Shqiptarët -qytetërime të lashta mesdhetare”- Nermin Vlora Falaschi , Prishtine 1998.
Ndihmuan me te dhena Gj. Zogaj, D. Ago, E.Canaj, A. Hysko

SQARIM!

Ndalohet riprodhimi i plot ose i pjeseshem i ketij punimi kjo ne baze te Ligjit Nr. 35/2016, datë 31.3.2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to.