ALI PASH TEPELENA – Nga Prof. Abas Ermenji

I dyti pashallëk autonom i Shqipërisë ishte ai i Janinës, që u formua prej Ali Pashë Tepelenës. Lindur në Tepelenë më 1744, i biri i Veli Beut dhe i Hankos, Aliu e kish kaluar djalërinë e tij si kapedan hajdutësh nëpër krahina shqiptare dhe greke. Ishte njohur e lidhur me banda martallozësh dhe hajdutësh grekë. I pajisur me një vullnet të hekurt dhe zgjuarësi të rrallë, i shkathët, gojëmbël, trim, por i pabesë, ahmarrës, intrigant i pashoq dhe pa kurrfarë ndërgjegje morale, Aliu filloi të përzjehej fort i ri n’anarkinë e Shqipërisë së jugës, për të kënaqur ambicjet dhe lakmitë e tija të pangopshme. Për t’u mbrojtur nga ndjekjet e Ahmet Kurt Pashës së Beratit, i cili ishte dervenxhi-Pasha i Toskërisë dhe i Epirit, Aliu lidhi miqësi me kundërshtarin e atij, Kapllan Pashë Delvinën. Edhe ky kish nevojë të pështetej në bandat e hajdutëve t’Aliut për t’i qëndruar Ahmet-Kurt Pashës. Miqësia ndërmjet tyre u forcua me krushqi, Aliu u martua me të bijën e Kapllan Pashës, siç e mendoi dhe e rregulloi e famshmja Hanko, fort e zonja për këso punësh.

Për Ali Tepelenën, çdo vepërim që i jepte fuqi e pasuri ishte i mirë. Hyri në lidhje si agjent me valiun e Rumelisë dhe pastaj me qarqet e Stambollit, krijoi të paqëna, vazhdoi intrigat, çpifjet, komplotet, pa kursyer as të vjehrrin, Kapllan Pashën. Këtij i thuri çpifjet më të zeza pranë valiut të Rumelisë me qëllim që t’a humbiste për t’i zënë vendin. Kur valiu e thirri Kapllan Pashën në Manastir, dhe ai nuk desh të vinte, Aliu i mbushi mendjen që të shkonte, sepse e dinte që nuk do të këthehej, siç nuk u kthye më. Ndonëse nuk u emërua përnjëherësh në vend të të vjehrrit, vazhdoi intrigat dhe komplotet kundrejt pasardhësvet të tij, gjersa më në fund Porta e Lartë i dërgoi fermanin si mytesarrif i Delvinës dhe titullin pasha, më 1785. Një vit më vonë, Aliu u dërgua mytesarrif në Tërhallë, sanxhak i rëndësishëm por i zhytur në nj’anarki të plotë. Aty nuk pati vështirësi të vinte rregullin brenda pak kohe, duke zhdukur bandat e hajdutëvet dhe duke shtruar të pabindurit. Pasi dha këtë provë zotësie, u emërua, më 1787, dervenxhi-pasha i Epirit për të siguruar udhët e Pindit. Por Ali Tepelena mendonte gjëra më të mëdha. Prandaj, më 1788, hyri me forcë në Janinë, duke përfituar nga grindjet e brendëshme, edhe u bë sundimtari i saj. Kështu u vendos mu në qendër t’Epirit, pozitë gjeografike nga më të mirat për t’i dhënë fuqisë së tij mundësi zgjerimi. Porta e Lartë s’pat se ç’të bënte dhe e njohu qeveritar të Janinës.

N’atë kohë, n’Epir zjente anarkia. Bejlerë, agallarë, derëbenj, nuk i bindëshin autoritetit. Hajdutët prisnin rrugët, martallozët mujshonin fshatarët. Derëbenjtë ishin disa bejlerë të vegjël, zakonisht nëpër viset malore ku s’mund të bënin çifliqe, e që kishin gjetur një tjetër mënyrë shfrytëzimi: këta merrnin nën mprojtje kundër hajdutëve ose bejlerëve të tjerë një a më shumë fshatra, kundrejt një takse vjetore të caktuar, në natyrë ose në të holla. Për t’i shtrënguar fshatarët të futëshin nën mprojtjen e tyre, derëbenjtë i ndërsenin vetë hajdutët që t’iu binin më qafë. Edhe i ati i Aliut, Veli Beu, pat qënë sundimtari i Tepelenës dhe derëbej i Hormovës. Pas vrasjes së tij, më 1753, Aliu i vogël u rrit nën drejtimin e s’ëmës gjarpërusha Hanko, e cila ndikoi shumë në formimin e karakterit të të birit. Përkrah derëbenjvet qëndronin martallozët, të cilët në fillim kishin qënë rojtës katundesh, po pastaj ishin organizuar edhe ata në banda. Martallozë e koxhabashë, që shpeshëherë ishin të lidhur ndërmjet tyre, mbizotëronin në fshatrat e krishtere.

Kur hyri në Janinë Ali Tepelena, që kishte marrë nam si njeri i pashpirt, u prit me frikë prej tërë botës dhe prej gjithë tarafevet. Por ai u mundua t’i siguronte se do të vinte qetësinë dhe do të mbante drejtësinë duke i shikuar njëlloj si Myslimanët dhe të Krishterët, si Shqiptarët dhe Grekët. Në pak kohë, nënshtroi ose arrestoi të pabindurit, zhduku ose shpërndau bandat e hajdutëve, bëri për vehte, duke i mbajtur në fre, disa nga kapedanët e këtyre dhe përgjithësisht martallozët. Vuri garnizone ushtarësh nëpër qendra e vende-kyç për të siguruar udhët, për të mbajtur qetësinë. Ata që s’u nënshtruan nga derëbenjë dhe çifligarët e mëparshëm, ose u vranë ose u arratisën. Shumë prej tyre u kalbën në burgjet e Janinës. Aliu ua rrëmbeu çifliqet për vehte, duke iu dhënë nga një rretër edhe përkrahësvet të tij. Kështu, nën sundimin e Ali Tepelenës, “qengji mund të flinte pranë ujkut”, siç shkroi një nga oborrtarët e tij.

Për të sendërtuar (realizuar) ato që kishte nër mend, domethënë krijimin e një principate sa më të gjerë që t’ishte e mundur, Aliut i duhej të luftonte kundër pashallëkeve të tjera dhe krahinave të pabindura, duke e mbajtur përkohësisht mirë me Portën e Lartë dhe duke shfrytëzuar ndërrimet e gjendjes ndërkombëtare. Për këtë punë i duhej parashikim, dhelpëri, fshehje qëllimesh, gjetje shkaqesh, zgjedhje çastesh, mbulesë “ligjore” e të tjera djallëzi të këtij lloji, për të cilat Aliu kishte lindur gjeni. Gjatë Revolucionit Frëng dhe luftavet napoleoniane që i prunë n’ishujt e detit Jon fqinjë të padëshiruarshëm, Frëngj, Rusë, e pastaj Anglezë, Aliu dijti të manevronte me mjeshtëri dhe njëkohësisht me dorë të fortë, duke treguar një instinkt politik nga më të rrallët. Me dhurata e ryshfete, përveç intrigavet djallëzore, bënte për vehte qarqet e Portës së Lartë edhe i sillte vërdallë, aq sa disa herë pat mundur të ndryshonte edhe qeveritë në Stamboll. Thuhet se me spicat e tija pati gisht në kryengritjen e jeniçerëvet dhe vrasjen e Sulltan Selimit më 1808. Agjentët e tij, në Stamboll e kudo gjetkë, zhbironin çdo gjë dhe futnin gjithkund intrigat e Aliut.

Mbasi u vendos mirë në Janinë, ai filloi të pregatitej për zgjerimin e mëtejshëm duke grumbulluar sa më shumë t’ardhura, duke ndrequr fortesat dhe duke ngritur në këmbë një ushtëri të rregullt, me artileri e të gjitha armët. T’ardhurat e tija u shtuan shpejt, jo vetëm me anën e taksavet po edhe me çifliqet që iu rrëmbeu feudalëve të tjerë. Për t’i dhënë Janinës dalje të plotë në det, Aliu më parë pushtoi Artën, e cila ishte skela m’e rëndësishme e Epirit. Pastaj u drejtua nga qytetet e Toskërisë duke i marrë me radhë: Konicën, Libohovën, Përmetin, Tepelenën, Këlcyrën. Këto atëhere varëshin prej pashallëkut të Beratit, ku vendin e Ahmet-Kurt Pashës, vdekur më 1787, e kishte zënë Ibrahim Pashë Vlora. Ndërmjet këtij edhe Aliut pati një përpjekje me armë, por më në fund punët u rregulluan me krushqi: i biri i Aliut, Myftari, mori për grua të bijën e Ibrahim Pashës, dhe ky qytetet e lartpërmendura ia dha gjoja së bijës si pajë. Më vonë, djali i dytë i Aliut, Veliu, u martua me vajzën e dytë t’Ibrahim Pashës, por, siç do t’a shohim më poshtë, lidhjet familjare nuk e shpëtuan këtë të shkretin nga kthetrat e kuçedrës së Janinës.

Zgjerimi i pashallëkut t’Ali Tepelenës dhe dalja e tij n’Artë shqetësoi Republikën e Venetikut, e cila kishte nën sundim Ishujt Jonianë dhe disa skela në bregdetin e Epirit. Republika shtyti kundërshtarët e Aliut që të lidhëshin kundër tij, iu dha armë krahinavet malësore të Himarës e të Sulit si edhe bejlerëvet të Çamërisë, dhe strehoi në zotërimet e saja t’arratisurit e ndjekur prej Pashajt të Janinës. Aliu desh më parë të shtronte Suliotët, rrezikun e të cilëve e ndjente më afër edhe i filloi vepërimet kundër tyre më 1790. Por n’atë kohë mori urdhër nga Porta e Larte për t’u nisur kundër Rusëvet në frontin e Danubit. Kur u kthye që andej, ndeshi në një lidhje të formuar kundër tij në Shqipërinë e jugës, me shtytjen e Venetikut. Në krye të feudalëvet kundërshtarë qëndronte Ibrahim Pashë Vlora. Mbasi në lidhjen merrnin pjesë edhe Suliotët, Aliu nuk pati vështirësi ta përçante duke e paraqitur si një komplot kundër Turqisë. Prandaj fuqitë e tija i nisi përsëri në drejtim të Sulit, më 1791, por as këtë radhë nuk mundi t’a shkelte. Kurse me Ibrahim Pashë Vlorën i ndreqi punët me të mirë duke bërë krushqinë e dytë. Shkaku që Aliu nuk i jepte akoma grushtin e fundit Pashajt të Beratit, ishte që të mos zgjuante dyshime te Porta e Lartë. Gjendja ndërkombëtare n’atë kohë ishte sjellë në dobi të Turqisë. Revolucioni Frëng i kishte trembur fuqit e mëdha t’Evropës, të cilat tani ishin lidhur kundër Francës. Si rrjedhim, Austria dhe Rusia e prenë luftën kundër Turqisë, kështu që pesha e tyre nuk po rëndonte më mbi këtë. Sulltan Selimi III, që mbretëroi prej 1789 gjer më 1808, desh të përfitonte nga lehtësimi i presionit të jashtëm për t’organizuar shtetin përbrenda, e prandaj shpalli t’ashtuquajturin “Rregullim i Ri”, Nizam-i-Xhedid, i cili parashihte mëkëmbjen e një ushtërie të re, reformimin e financavet dhe forcimin e autoritetit shtetëror otoman mbi pashallëket gjysëm-autonome. Aliu e kuptonte gjendjen, e prandaj n’ato kohë nuk mund të vinte në kundërshtim me Portën e Lartë. Asaj vazhdoi t’i shprehte besnikërinë, me anë lajkash e ryshfetesh por pa hequr dorë nga qëllimet e tija. Disa kqyrës të huaj që patën të bënin me të ca vjet më vonë, formuan mendimin se bindja e tij ndaj Portës së Lartë ishte një taktikë e përkohëshme dhe se, në të vërtetën, ai synonte krijimin e një shteti të pavarur porsa t’i paraqitëshin rrethanat e favorshme.

Fitoret e Napoleon Bonapartit n’Itali dhe traktati i Campoformio-s që e fshinte nga harta Republikën tregëtare të Venetikut më 1797, i prunë Ali Tepelenës fqinjë të tjerë në bregdetin e Epirit dhe n’ishujt Jonianë. Ai u përpoq t’a shfrytëzonte gjendjen e re dhe i dërgoi gjeneral Bonapartit më 1 Qërshor I797 një letër përgëzimesh ku tregohej i gatishëm për të ndihmuar Frënqtë në pushtimin e Shtatë-Ishujvet. Përgjigjia që mori nga anë e Bonapartit e siguronte për miqësinë e Francës, por nuk i jepte as një copë tokë. Të Shtatë-Ishujt e detit Ionian dhe limanet e Epirit, Prevezën, Vonicën, Pargën dhe Butrintin i pushtoi ushtëria frënge sipas marrëveshjes që kishte bërë me Austrinë. Mbasi Napoleoni kishte nër mend shpeditën e Egjyptit, dhe Pashaj i Janinës mund t’i duhej për t’i nxjerrë Turqisë ngatërresa në Ballkan marrëdhëniet e Frëngve me Ali Tepelenën qenë të mira. Ata i dhanë ca armë e municione dhe e lejuan të mbante një flotë të vogël në detin Jon, kurse Venetiku s’e kishte lënë. Me anën e këtyre anijeve, duke kaluar nëpër kanalin e Korfuzit, Ali Tepelena shkarkoi befas një fuqi ushtarake në Himarë në prendverën e vitit 1798, dhe shkretoi disa fshatra të saj. Po atë vit mori urdhër nga Porta e Lartë që të nisej për në Vidin, Bullgari, për të shtypur një pasha kryengritës.

N’atë kohë Napoleoni kishte zbritur n’Egjyptë dhe kërcënonte interesat britanike në Mesdhe, prandaj Anglia, Rusia dhe Turqia u lidhën bashkë kundër Francës. Flota ruso-turke po gatitej t’i përzinte Frënqtë prej ishujvet Jonianë për t’i vënë këta nën kontrollin e Rusisë. Por Turqia duhej të merrte n’atë rast limanet e bregdetit t’Epirit. Prandaj Ali Tepelena u kthye menjëherë prej Bullgarie dhe sulmoi ushtërinë frënge në Prevezë, Vonicë, Butrint, të cilat qytete edhe i pushtoi. Porta e Lartë u kënaq prej vepërimevet të tija dhe i dërgoi titullin vezir. Admirali anglez Nelson e përgëzoi duke e quajtur “hero i Epirit”. Rreth atyre kohëve, me një tjetër dekret të Sulltanit Aliu u mbiquajt “Asllan” prandaj auktorët britanikë e përmendin zakonisht me emrin Ali the Lion.

Në Shkurt 1799, flota ruso-turke pushtoi Korfuzin dhe i përzuri Frënqtë prej ishujvet Jonianë. Tani pashallëku i Janinës kishte si fqinjë Rusët. Ali Tepelena nuk ngurroi t’iu shprehte edhe këtyre “ndjenjat miqësore” dhe t’iu kërkonte ndihmën duke premtuar se do t’ishte aliat i përhershëm me ta. Po Rusët përkrahnin popujt orthodoks në Ballkan dhe nuk kishin nevojë për miqësinë e një pashaj mysliman, siç ishte Aliu. Prandaj marrëdhëniet e këtij me fqinjët rusë qenë fort të këqia.

Të qënët e Rusëve aty afër iu dha zemër Suliotëvet, si Orthodoks, dhe nga ana tjetër i zgjoi shqetësimin Ali Pashës. Ky vendosi atëhere t’a rifillonte luftën kundër tyre gjer me nënshtrimin e plotë të Sulit. Kështu iu shtua edhe një tjetër fletë tragjike historisë shqiptare.

Suliotët ishin malësorë shqiptarë, të strukur me kohë në malet e Sulit, në jugë t’Epirit, ku patën jetuar të lirë e të pavarur. Përbënin shtatë fshatra dhe ndahëshin në disa farë (në kuptimin fis të malësive të veriut). Rregullohëshin midis tyre sipas kanunit të vjetër të Shqiptarëvet dhe çështjet e përbashkëta i shikonte kuvendi i pleqësisë, i cili merrte edhe vendimet. Lirinë e tyre Suliotët e mpronin, natyrisht, me armë. Dhe mbasi në malet e Sulit, përveç gjësë së gjallë, bëhej fort pak drithë, ata plaçkitnin nganjëherë fshatrat e fushave rreth e qark ose iu vinin haraç duke i mprojtur prej hajdutëve të tjerë. Mbasi jetonin me pushkë në dorë, kishin nevojë për një farë organizimi dhe për një kapedan që t’i kumandonte. Këtë të fundit e zgjidhte kuvendi i pleqësisë, zakonisht në dy nga familjet e para, n’atë të Boçarëve ose të Xhavellajve. Ali Pasha ishte përpjekur t’i përçante këto me intrigat e tija. E pamë sesi nuk mundi t’a shkelte Sulin më 1790 e 1791. Porsa Suliotët filluan të lidhnin miqësi me Rusët, më 1799, ai i sulmoi rishtas. Lufta këtë radhë vazhdoi gjatë, gjer më 1803. Suliotët u mprojtën trimërisht edhe i prapsën shumë herë sulmet e ushtërisë s’Ali Pashës. Mirëpo më në fund i lodhi rrethimi, mbetën pa bukë e pa municione sepse rrugët i kishin të prera nga të gjitha anët. S’mundi t’iu vinte as një ndihmë prej Rusëve, as prej kurkujt tjetër. E vetëmja gjë që deshën të bënin Rusët, ishte formimi i një lidhjeje të feudalëve shqiptarë kundër Ali Pashës, domethënë atë që kish dashur të bënte Venetiku disa vjet më parë. Por Aliu e përçau edhe e shpartalloi këtë përpara kohe. Mundi të përçante deri Suliotët trima duke afruar Kiço Boçarin, i cili tregohej i pakënaqur sepse kuvendi i krerëvet, në vend t’atij, kishte zgjedhur si kapedan Foto Xhavellën. Kështu nga mbarimi i vitit 1803, ushtëritë e Ali Pashës që i kumandonte i biri, Veli Pasha, u futën thellë dhe i shtrënguan Suliotët, mbetur pa ushqime përpara dimrit, të kërkonin marrëveshje. Ata pranuan të shpërngulëshin nga Suli me kusht që të lihëshin të lirë për t’ikur me gra e fëmijë në drejtim të Pargës, e cila ndodhej në duart e Rusëvet. Veli Pasha e pranoi kërkesën e tyre edhe u lidh me shkrim e me betim se do t’a mbante fjalën. Po kur Suliotët ishin udhës dhe s’kishin mundësi luftimi, arriti Ali Pasha, në fund të Dhjetorit 1803, edhe e prishi marrëveshjen e të birit. Dhelpra plakë e dinte që Suliotët do të hidhëshin menjëherë n’ishujt Jonianë për t’u vënë në shërbim të Rusisë. Prandaj desh t’i ndalte aty, ku mund t’i vendoste si bujq në çifliqet e tija. Dërgoi fuqi për t’i kthyer ata që ishin nisur në drejtim të Pargës. Vetëm një pjesë e Suliotëvet, me kapedan Foto XhavelIën mundi të hidhej në Korfus. Të shumët u kapën rrugës dhe u ndalën. Një pjesë tjetër nuk desh të dorëzohej dhe luftoi gjersa u shua fare. Skena më përqethëse e kësaj tragjedie është ajo e një grumbulli grash Suliote që s’deshën t’iu binin në dorë ushtarëve t’Ali Pashës, edhe u hodhën me foshnjat në krahë prej shkëmbinjve të Zallongut në fundet e greminës.

Thuhet se Suliotët u hodhën nga shkëmbi duke dredhur valle, me një këngë në gojë që iu linte lamtumirën e fundit malevet të tyre. Grekët e kanë rrëmbyer këtë skenë të denjë për tragjedin klasike, edhe e paraqesin më çdo rast si shprehjen më të lartë të heroizmit grek. Iu kujtojmë se kënga e mallëngjyershme e Suliotevet kumboi në shqipen më të pastër, dhe s’mund të ketë gjak Shqiptari më të kulluar nga ai që rrodhi prej plagëvet të tyre. Vetëm stërmbesat e Teutës krenare mund t’ishin të zonjat për një vepër t’atillë. Suliotët s’dinin fare greqisht, as për të thënë bukë e ujë. Shqiponja e Sulit, Mark Boçari, i cili është mbiquajtur Leonidha i Greqisë moderne, shkroi në Korfus më 1809, pranë konsullit të Francës, Pouqueville, një fjalorth greqisht-shqip, që ruhet edhe sot në Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Fati i keq i racës shqiptare ka qënë që të mbushte botën me heronj duke shkrirë vetvehten.

Sipas një marrëveshjeje ruso-turke nënshkruar më 21 Prill 1800, ishujt Jonianë formuan gjoja një shtet autonom, Republika e Shtatë-Ishujvet, nën mprojtjen e Rusisë, e cila mbante të pushtuar edhe skelën e Pargës në bregdetin e Epirit. Rusët u përpoqën t’i nxirnin ngatërresa Aliut duke shtytur kundër tij bejlerët e Çamërisë e të tjerë feudalë shqiptarë. Por ai i përçau e i shtypi këto lëvizje. Për të gjetur pështetje kundrejt Rusëvet, Ali Tepelena iu suall Anglisë dhe kërkoi të lidhte me të një marrëveshje të veçantë, e cila u arrit në një formë pothuajse zyrtare më 1803. Anglezët i premtonin Aliut përkrahje kundrejt Rusisë dhe Turqisë, ai zotohej t’iu shërbente kundër Francës, pavarësisht nga politika që do të ndiqte ndaj kësaj Porta e Lartë. Megjith ndërhyrjen miqësore t’Anglezëvet, marrëdhëniet e Rusëvet me Ali Pashën mbetën të ftohta.

Kur Napoleoni, me fitoren n’Austerlitz dhe me traktatin e Petersburgut, në Dhjetor 1805, e këtheu balancën e Evropës n’anë të tij, Ali Pasha vrapoi të hynte në marrëdhënie me të, por pa i këputur lidhjet me Anglezët. Napoleoni e priti mirë afrimin e Ali Pashës sepse ky mund t’i shërbente për t’iu marrë Rusëvet ishujt Jonianë. Pastaj, si Frënqtë edhe Anglezët e dinin që Ali Pasha bënte politikën e tij, të pavarur nga Porta e Lartë. Kështu Franca dërgoi në Janinë më 1806 një konsull të përgjithshëm, François Pouqueville, i cili i solli Aliut fjalë të mira nga anë e Perandorit, duke i premtuar edhe ishullin e Korfuzit në rast se do t’iu merrej Rusëvet. Me ndërmjetësimin e Francës, Porta e Lartë i bëri disa lëshime Ali Tepelenës edh’emëroi dy djemtë e tij, Myftar Pashën dhe Veli Pashën, si mytesarrifë në sanxhaqet e Lepantit e të Moresë. Pas Gjin Bua Shpatës, Ali Tepelena është i dyti Shqiptar që e ka shtrirë sundimin gjer në jugë të Greqisë.

Por miqësia e Aliut me Francën nuk vazhdoi shumë kohë. Pas fitorevet të tjera që pati Napoleoni mbi Rusët n’Eylau e në Friedland dhe me paqen e Tilsit, në Korrik 1807, ishujt Jonianë dhe Parga kaluan përsëri nën sundimin e Francës. Ali Pasha dërgoi një përfaqësonjës pranë Napoleonit për t’i kërkuar Korfuzin, sipas premtimit, por ajo fjalë ishte harruar… Përkundrazi, Frënqtë i kërkuan Aliut edhe Butrintin, por ai nuk ua lëshoi.

I pakënaqur prej Francës, Ali Pasha hyri përsëri në marrëveshje me Anglezët, ndonëse këta ishin atëhere në gjendje lufte me Turqinë. Iu premtoi ndihmën për dëbimin e Frënqvet nga ishujt Jonianë duke kërkuar për vehte Pargën dhe ishullin e Santa-Maurës. Pas nënshkrimit të paqes ndërmjet Anglisë dhe Turqisë, më 1809, Aliu i vazhdoi bisedimet më lirisht duke dërguar në Londër një njerinë e tij të besuar. Anglezët, sipas zakonit, i dhanë premtime të mira, po kur i pushtuan ishujt Jonianë, disa vjet më vonë, s’i lëshuan gjë Aliut. Mbasi deshën t’a kishin si një aliat kundër Francës, i dërguan ca armë e municione dhe, pak më vonë, ca topa e varrela baruti, duke e përkrahur njëkohësisht edhe pranë Portës së Lartë.

Ndërmjet vjetëvet 1808-1812, Ali Tepelena futi nën sundimin e tij gjithë Shqipërinë e jugës dhe të Mesmen, dhe më shumë se gjysmën e Greqisë. Disa kryengritje të shtytura prej Frënqvet në Greqi dhe në Shqipëri i shtypi si të tjerat. Sulmoi Beratin duke e rrahur me artileri dhe e shtrëngoi Ibrahim Pashën të largohej në Vlorë, të nënshtrohej dhe të dërgonte në Janinë të birin si peng. Më në fund e kapi dhe e hodhi në burg, megjithëse ishte i vjehrri i dy të bijvet. Ndoshta do t’a kishte vrarë sikur të mos druante zemërimin e Stambollit. Shkatërroi gjithashtu lidhjen e bejlerëve të Çamërisë, e cila udhëhiqej nga Hasan Çapari dhe Islam Pronja. Këta të dy u dorëzuan dhe iu shtruan burgut të Janinës. Në të njëjtën kohë Aliu iu vërsul Himarës, të cilën e nënshtroi. Frënqtë protestuan në Stamboll kundër këtyre vepërimeve t’Aliut dhe Napoleoni kërcënoi Portën e Lartë. Zgjerimi i fuqisë s’Ali Tepelenës formonte një rrezik për pozitat e tyre n’ishujt Jonianë. Por Aliu nuk dëgjoi nga këto profka dhe vazhdoi n’udhën e tij. Mbasi pati shtirë në dorë Beratin dhe Vlorën, mbetëshin akoma të panënshtruar pashallëku i Delvinës me Gjirokastrën dhe disa feudalë të tjerë aty-këtu. Frënqtë u përpoqën vazhdimisht t’i shtynin këta kundër Aliut, por ky e theu Mustafa Pashën e Delvinës, më 1811, e pushtoi atë qytet dhe Gjirokastrën, e disa muaj më vonë, në Shkurt të vitit 1812, iu dha grushtin e fundit kundërshtarëvet të tij, të cilët ishin mbledhur në fortesën e Kardhiqit. Se sa u zemëruan Frënqtë për këto vepërime, kuptohet nga shkrimet e konsullit të tyre në Janinë, Pouqueville, të cilat janë plot helm e mllef jo vetëm kundër Ali Pashës, po edhe kundrejt Shqiptarëvet në përgjithësi.

Nga krimet më shtazarake t’Ali Tepelenës gjatë atyre vjetëve, janë prishja e Hormovës dhe e Kardhiqit. Këta fshatra i kishin bërë një fymje s’ëmës, kur Aliu ishte i vogël, e prandaj iu ruante një urrejtje të thellë. Për t’i mbledhur tok të gjithë burrat e Kardhiqit, vajti gjoja për t’u pajtuar me ta, i thirri, i mori me të mirë, dhe pastaj iu dha urdhër ushtarëvet: “vrijini!”. Aty u zhvillua një skenë nga më të dhëmbëshmet. Ushtarët shqiptarë që kishte me vehte, Toskë edhe Mirditas, nuk pranuan të shtinin kundër njerëzve të çarmatosur. Aliu i tërbuar kërcënoi, përplasi këmbët, shtrëngoi grushtat, ulëriti, shkumbëzoi, por ata nuk dëgjuan. Më në fund u paraqit Thanas Vaja me një trupë Grekësh që e kryen atë shërbim xhelati duke vrarë lart nga 800 burra të Kardhiqit. Me të njëjtën lehtësi, Ali Tepelena, si një bishë e etshme për gjak, iu preu kokat gjithë bejlerevet që mbante në burgun e Janinës, pa kursyer as Mustafa Pashë Delvinën për të cilin kishte ndërhyrë Stambolli.

Duke përfituar nga pazotësia e Ibrahim Pashë Bushatit, nga pakënaqësitë që ai shkaktoi në Shqipërinë e Mesme e të veriut dhe nga trubullimet që plasën në Shkodër pas vdekjes së tij, Ali Tepelena ndërhyri n’ato vende, me intriga e ryshfete, për t’i lidhur me pashallëkun e Janinës. Bëri për vehte disa nga sundimtarët e Shqipërisë së Mesme deri në Krujë, u mundua të gjente përkrahës në Dibër e Mat, dhe t’afronte Kapidanin e Mirditës, Prenk Lleshin. Kështu, më të shumët e feudalëve të Shqipërisë së Mesme iu nënshtruan Ali Pashë Tepelenës, sundimi i të cilit arrinte prej Shkumbinit gjer në Moré të Greqisë.

Kur qeverimin e Shkodrës e mori në dorë Mustafa Pashë Bushati, Ali Tepelena lidhi krushqi me këtë duke i dhënë për grua të mbesën, Aishe Kadënën, të bijën e Veliut. Po nusja vdiq pas pak kohe, thuhet se e helmuar prej së vjehrrës, e cila dyshonte se mos e mbesa e Ali Tepelenës kishte ardhur për t’i helmuar të birin. Mustafa Bushati, ose Kara Mustafa Pasha, siç është quajtur, për të mprojtur pashallëkun e tij prej ndërhyrjevet t’Aliut, kërkoi t’afrohej sa më shumë me Stambollin. Porta e Lartë përfitoi nga ky rivalitet midis dy pashallarëvet më të mëdhenj të Shqipërisë, për të shtytur Bushatlinë kundër Ali Tepelenës dhe Gegët kundër Toskëvet. Më 1815, Sulltani i dërgoi Mustafa Bushatit titullin vezir edhe e ngarkonte me detyrën e valiut mbi sanxhaqet e Shqipërisë veriore gjer n’Elbasan e n’Ohër. Nga ana tjetër, Ali Tepelena e kuptonte se pashallëku i Shkodrës ishte një kockë e fortë për t’u gëlltitur, prandaj të dy kundërshtarët vazhduan ta shikonin shtrembët njëri-tjetrin, por pa luajtur vendit dhe duke qëndruar seicili në cakun e vet.

Peripecitë e luftavet napoleoniane dhe qëndrimet e Turqisë kundrejt Francës ushtruan ndikimin e tyre në vepërimet e brendëshme dhe politikën e jashtëme t’Ali Tepelenës, por pa ua ndërruar drejtimin qëllimevet të tija. Pas rënies së Napoleonit, Kongresi i Vienës i vuri Shtatë-Ishujt Jonianë nën mprojtjen e Anglisë. Kjo nuk i lëshoi gjë Ali Pashës, dhe vetëm më 1819 mundi ky të merrte qytetin e Pargës.

Kongresi i Vienës dhe Alianca e Shënjtë që ai krijoi më 1815 sillte një kthesë të re në gjendjen ndërkombëtare. Fuqitë nënshkruëse zotohëshin të mbanin statu quo-në n’Evropë dhe të mos përkrahnin lëvizjet kryengritëse të kombësivet të shtypura. N’atë mënyrë Turqia lirohej përsëri nga presionet e jashtëme edhe i mbetëshin duart e lira për të shtruar pashallarët e pabindur. Duke parë se edhe prej Anglisë s’po delte gjëkafshë, Ali Tepelena mendoi se Rusia, sadoqë antare e Aliancës se Shënjtë, nuk do të qëndronte si “shenjtore” kundrejt Turqisë. Prandaj me anën e një të besuari, Kostandin Dukës, iu bëri Rusëvet një propozim që rrëfen haptas qëllimet e Ali Pashës. Ky tregohej i gatishëm t’a ndihmonte Rusinë me 30.000 ushtarë në rastin e një lufte kundër Turqisë, dhe të mbetej gjithmonë aliat i asaj, nëqoftëse ajo do t’a njihte si princ të pavarur mbi një shtet që, duke përfshirë Shkodrën nga veriu, të shtrihej gjer në Vardar, nga lindja, dhe në gjirin e Korinthit, nga juga. Rusët iu përgjigjën se nuk kishin asnjë qëllim lufte kundër Turqisë.

Përveç vepërimevet me armë dhe politikës së jashtëme, Ali Pasha u muar edhe me organizimin e brendshëm të pashallëkut të tij. Në Janinë ngriti Divanin e tij, në shembull të një qeverie orientale, me një kryetar dhe disa këshilltarë që merrëshin me punët e administratës. Mbante rreth vehtes një numër ndihmësash dhe bashkëpunëtorësh besnikë, civila e ushtarakë, që kryenin shërbimet e ndryshme. Në radhët e nëpunësvet, kishte shtatë a tetë sekretarë që dinin gjuhët e huaja. Po edhe “drejtësia” me “gjyqet” e saj nuk mungonte, dhe bëhej sipas sheriatit me kadilerët në krye, për Myslimanët, ose pas kanonevet kishtare për të Krishterët. Shumë herë Ali Pasha i dëgjonte dhe i ndante gjyqet vetë. Vendimet nuk shkonin më për diktim në Stamboll, si më parë, por shikohëshin në Janinë. Malësorët rregullohëshin si gjithmonë pas së drejtës zakonore. Në çdo qendër krahine të pashallëkut kishte një myteselim t’emëruar nga Janina dhe një këshill që zgjidhej nga parësia e qytetit. Një kujdes të veçantë iu vuri Ali Pasha t’ardhuravet të cilat, përveç taksavet, shtohëshin prej gjobavet, dhuratavet, e me çifliqet që iu rrëmbeu bejlerëve të tjerë. Ai vetë kishte bërë të tijat lart nga 900 fshatra-çifliqe. Në një principatë që përfshinte tërë Shqipërinë e jugës, Epirin, Thesalinë dhe Greqinë perëndimore gjer në Moré, me një bregdet që shtrihej prej Durrësit gjer në Korinth, e ku të gjitha skelat përveç Pargës ishin nën kontrollin e tij, merret me mend se çfar t’ardhurash mund të kishte Ali Pasha. Ai dërgonte në Stamboll një pjesë të vogël të këtyre, e sidomos ryshfete në rrethin e Sulltanit, shpenxonte një pjesë tjetër për ushtërinë dhe administratën, mbante agjentë jo vetëm nëpër qendrat e Ballkanit, po edhe n’Evropë e në Lindjen e Afërme, dhe kënaqte pasionin e thellë të tij për të grumbulluar thesarë, për të cilët thuhej se ishin përrallëzorë. Por këta s’i hynë në punë kur i erdhi fundi, sepse ishte aq kurnac sa që nuk dijti t’i përdorte për t’organizuar një fuqi ushtarake moderne, si Mehmet-Aliu i Egjyptit, i cili i vajti Sulltanit gjer tek portat e Stambollit. Ushtëria e Ali Pashës kishte nja 15.000 veta në kohë paqeje, përgjithësisht Shqiptarë, përveç disa trupave Grekësh dhe ca specialistëve të huaj për armët e ndryshme, sidomos artiljerë Napolitanë. Në kohë lufte, Ali Tepelena mund të ngrinte fuqi dy-tri herë më tepër, sipas rastevet, duke arritur gjer më 50.000 ushtarë. Forcën e kësaj ushtërie e përbënin Shqiptarët, përgjithësisht Toskë, por kishte edhe grupe Gegësh: Dibranë, Mirditas, Shkodranë. Aliu mbante edhe një flotë të vogël lufte me detarë Himariotë, Ulqinakë dhe Grekë. Megjithëse pat hapur në Janinë një shkollë ushtarake dhe qe munduar t’organizonte një ushtëri të rregullt me anën e disa aventurierëve evropianë që kishin hyrë në shërbim të tij, Aliu nuk mundi të krijonte një forcë moderne, qoftë sepse ishte tepër kurnac, qoftë sepse sundimi i tij ishte personal dhe tiranik.

Me qetësinë që vuri, me sigurimin e rrugëvet, të cilat edhe i ndreqi, Ali Pasha i dha shtytje tregëtisë bujqësisë dhe zejtarisë së vendit. Mbasi m’e keqja e të gjitha tiranivet duket se është anarkia, me zhdukjen e kësaj dhe me vendosjen e një farë rregulli, jeta ekonomike e vendit mori një përmirësim të dukshëm. Ali Pasha i dha shtytje edhe arësimit, duke hapur shkolla greqishte për të Krishterët dhe turqishte për Myslimanët. Disa shërbime higjienike, si për shembull shënimi kundër lisë – çpikur atëhere prej Jenner-it – ishin më të përparuara në pashallëkun e Janinës se sa në viset e tjera të Perandorisë Otomane. Disa të huaj kanë menduar se Ali Pasha desh të fuste qytetërimin evropian në Shqipëri, dhe se gjatë sundimit të tij Janina u bë një nga qendrat ekonomike dhe kulturore më të rëndësishme të Ballkanit. Veshja kombëtare e Shqiptarëvet – veshja m’e mrekulluarshme e botës sipas Byron-it – u përhap gjer në Moré dhe u bë modë për tërë aristokracinë e Ballkanit. Grekët e kanë marrë prej Shqiptarëve duke e shëmtuar si një karikaturë, që të bën të qeshish ashtu si e mbajnë evzonët sot. Dhe bota që s’e di, kujton se fustanella është veshje kombëtare e Grekëvet.

Pra, me gjithë krimet e neveritshme dhe sundimin tiranik të tij, Ali Pashë Tepelena u shikua si një nga figurat e mëdha të kohës dhe bëri të dëgjohej emri i Shqipërisë n’Evropë. Priti n’oborrin e tij poetë, shkrimtarë, turistë nga vendet e ndryshme t’Evropës, sikurse Lord Byron-in që ia kushtoi Shqipërisë dhe Shqiptarëvet këngën e dytë të poemit kryevepër Childe Harold. Aliu dinte të priste shumë mirë dhe kishte një mënyrë të foluri aq t’ëmbël sa që çuditej njeriu sesi mund të fshihëshin gjithë ato krime e të paudha prapa asaj mjekrre të bardhë patriarku. Ndonëse fare i pa-shkollë, bisedat e tija ishin fort interesante dhe çfaqte mendime që iu bënin përshtypje të huajvet. Shikohej n’atë kohë si një sundimtar i fuqishëm, aq sa shtetet e Perëndimit pyesnin ambasadorët e tyre në Stamboll se cili ishte m’i fortë, Sulltani apo Ali Pashë Tepelena.

Me gjithë namin e urryer që mori si përndjekës i të Krishterëvet – sepse ata që kanë shkruar për të ishin zakonisht të krishterë – Ali Pasha u tregua i paanshëm ndërmjet fevet dhe kishte në shërbim të vet Myslimanë e të Krishterë. Ai shtypte këdo që nuk i shtrohej sundimit të tij – siç qe rasti i Suliotëvet dhe i Himariotëvet – e ndoshta krimet më të tmerrshme i bëri mbi Myslimanët, mbasi këta ishin më të pabindur e më të vështirë për t’u nënshtruar. Në sarajin e Janinës ai ishte i rrethuar pothuajse me Orthodoks, të cilët kryenin për të shërbimet e sekretarëvet, të përkëthenjësvet, të këshilltarëvet e të diplomatëvet. Kishte n’ushtëri, përveç xhelatit të neveritshëm Thanas Vaja, i cili s’ia linte dalë Isuf Harapit, edhe oficerë si Aleks Nuçon, Mantho Ekonomin e të tjerë Orthodoks. Edhe këshilltarët më të mirë i kishte prej këtyre, si Stavro Çapallanon, profesor Psalidhën, e kështu me radhë. Së shoqes më të dashuruar, Vasiliqisë, e cila kishte mbetur e krishtere, i kish ngrehur një altar të bukur në sarajin e vet, siç dëshmon konsulli i Francës, Pouqueville-i.

Ali Tepelena kishte ditur t’i sillte punët me Stambollin, duke bërë sikur bindej kur Porta e Lartë ishte në gjendje të merrte masa, dhe duke i hedhur në shportë urdhërat e saja kur ajo ishte në pozita të dobëta. Shumë herë qielli kishte qënë vrënjtur keq ndërmjet atij dhe Stambollit, por ai pat mundur t’i davariste retë duke gjetur justifikime për vepërimet e tija, të cilat ishin gjoja n’interes të Perandorisë, dhe sidomos duke zbutur me ryshfete njerëzit më të fuqishëm të rrethit të Sulltanit. Këtij i drejtohej gjithmonë me mënyra fort të njerëzishme duke i shprehur me fjalë besnikërinë më të plotë. Por këto larje e lyrje nuk mund të shkonin përherë. Sidomos që Sulltan Mahmudi II, pasardhësi i Selimit III, i kishte caktuar vehtes si program nënshtrimin e pashallëkevet gjysëm-të-pavarura, zhdukjen e jeniçerëvet dhe reformimin e shtetit turk me anën e një administrate të përqendruar. Qysh më 1812, Ali Tepelena u gjet në një pozitë të vështirë kundrejt Portës së Lartë, e cila e shkarkoi nga detyra e mytesarrifit të Tërhallës (titulli zyrtar që mbante Aliu), duke i lënë vetëm atë të dervenxhi-pashajt. Njëkohësisht Stambolli e qortoi për vrasjen e Kardhiqotëvet myslimanë dhe e urdhëroi që të largohej nga Janina e të qëndronte për ca kohë në Tepelenë. Aliu u bind sa për sy e faqe dhe u tërhoq në Tepelenë, por duke e mbajtur gjithmonë në dorë sundimin e Janinës. Mirëpo n’atë kohë ndodhi disfata e Napoleonit në Rusi që e përmbysi përsëri ballancën e fuqivet n’Evropë. Ali Tepelena u kthye menjëherë në Janinë dhe iu drejtua Anglezëvet, të cilët tani kishin më shumë nevojë për të. Këta i dërguan armë e municione dhe ndërhynë për të përmirësuar pozitat e tija pranë Portës së Lartë.

Por më 1820, duket se kupa ishte mbushur plot, ose Sulltan Mahmudi e ndjeu vehten më të fortë për t’i rënë kokës “Asllanit të Janinës”. Në këtë drejtim, qarqet e Portës së Lartë shtyhëshin vazhdimisht edhe prej armiqve t’Aliut, të cilët qenë mbledhur në Stamboll pasi patën humbur çifliqe e pozita që gëzonin më parë në krahinat shqiptare e greke të pashallëkut të Janinës. M’i zoti nga këta ishte Ismail Pasho Bej Janina, të cilin Aliu, si shumë të tjerë, e kishte xhveshur nga çifliqet dhe ndjekur gjithkah për t’a zhdukur. Burrë i paraqitshëm dhe gojtar i mirë, Ismail Pasho Beu kishte mundur të hynte thellë në lidhjet miqësore, jo vetëm me rrethin e Sulltanit, sidomos me këshilltarin më të besuar të tij, Halet Efendinë, po edhe me vetë Mahmudin II. Dhe i shtynte vazhdimisht kundër Ali Tepelenës, të cilin e përshkruante me ngjyrat më të zeza duke theksuar sidomos qëllimin e tij për t’u bërë i pavarur nga Turqia. Ali Pasha dërgoi njerëz në Stamboll për të vrarë Ismail Pasho Beun, dhe ata i ranë afër pallatit të Sulltanit por nuk e vranë dot. Kjo ngjarje i pezmatoi më tepër akoma marrëdhëniet e këqia t’Aliut me Portën e Lartë. Nga ana tjetër i shtynte urat me mënyrat e tija dhelparake edhe Fanari grek, i cili punonte për Eteristët që po pregatitnin kryengritjen greke. Këta përpiqëshin të shkaktonin sa më shumë trazira në Perandorinë Otomane dhe t’i hidhnin fuqitë turke kundër Ali Tepelenës, me qëllim që të përfitonin vetë. Gjithë këto intriga e urrejtje e bindën Mahmudin II se i duhej dhënë fund “mbretërimit” t’Ali Pashës. Me një dekret që nxori në fillim të vitit 1820, Sulltani e shkarkoi atë, si edhe të bijtë, nga ofiqet zyrtare dhe kërkoi që brenda dyzet ditëve ai të paraqitej në Stamboll për të dhënë llogari.

Ali Tepelena bëri ç’ishte e mundur për t’a larguar shkrepëtimën e rrufesë që po e kërcënonte mbi kokë. Dërgoi në Stamboll ryshfete e letra me lutje e përulej si edhe komisione të përbëra prej Myslimanësh e të Krishterësh, prej Shqiptarësh e Grekësh, për t’iu lutur Portës së Lartë që t’a këthente vendimin sepse kishin qënë shumë të kënaqur nga qeverimi i Ali Pashës. Por këto përpjekje nuk ecën këtë radhë. Aliu kërkoi përkrahjen e Anglezëvet, por as këta nuk kishin më nevojë për të. Kërkoi ndërhyrjen e Austrisë, e më vonë të Rusisë, të cilat s’deshën t’interesohëshin për Pashanë e Janinës. Kartën më të madhe u përpoq t’a loste me organizatën kryengritëse greke, Filiqi Eteria (Shoqëria e Miqvet), e cila ishte duke pregatitur kryengritjen e përgjithshme për të fituar pavarësinë e Greqisë. Duke kujtuar se kjo organizatë do të kishte edhe përkrahjen e Rusisë, Aliu u mundua t’a shtynte për t’a hedhur në vepërim, që kështu fuqitë turke të kapërthehëshin me kryengritjen greke. Mirëpo këtë llogari e bënin edhe Eteristët, të cilët donin që Aliu të hynte i pari në valle duke u mbërthyer me ushtërinë otomane për t’i lehtësuar punën kryegritjes greke. Prandaj nëpërmjet të Fanarit e shtynin Portën e Lartë kundër Ali Tepelenës. Eteristët përfituan nga nevoja që kishte Aliu për të gjetur aliatë edhe e bënë si një strehë të tyren pashallëkun e Janinës. Deri brenda në pallatin e Aliut nëpunësit dhe sekretarët, Grekë ose Shqiptarë orthodoks, ishin antarë të “Shoqërisë së Miqvet” dhe punonin për llogari të kryengritjes greke. Këta donin t’a përdornin Ali Pashën për të hedhur kundër tij forcat turke, por jo që ky të delte sundimtar i pavarur siç kishte qëllimin, sepse atëhere krahinat e Greqisë perëndimore gjer në Korinth do t’i mbetëshin principatës s’Aliut. Ky e kuptoi qëllimin e Grekëvet dhe desh të përdorte të njëjtat mënyra duke e vënë në dijeni Portën e Lartë mbi planet e Eteristëvet dhe duke u treguar i gatshëm për të shtypur lëvizjen e tyre. Porta e Lartë nuk desh të tundej nga vendimi që kishte marrë, dhe Aliut s’i mbetej tjetër veçse të pregatitej për qëndresë.

Mbasi Ali Pashë Tepelena nuk u paraqit në Stamboll, Sulltan Mahmudi II e shpalli fermanli, në fillim të Majit 1820. Njëkohësisht e mallkoi edhe Sheh-yl-Islami duke e quajtur Kara Ali (Aliu i Zi). Kumanda e përgjithshme e fuqivet ushtarake që do të nisëshin kundër tij iu ngarkua Ismail Pasho Beut, i cili, me një ferman të Sulltanit, ishte emëruar edhe qeveritar i Janinës. Por as Ali Pasha nuk ndëjti me duar kryq: qysh se u keqësuan marrëdhëniet me Portën e Lartë, filloi nga masat ushtarake për t’organizuar mprojtien, vuri garnizone nëpër fortesat dhe në pikat strategjike të pashallëkut. Më 23 Maj, thirri në Janinë një mbledhje të madhe Shqiptarësh e Grekësh me pjesëmarrjen e klerit mysliman e orthodoks, përpara së cilës tregoi të mirat që i kishte sjellë vendit, sidomos barasinë ndërmjet fevet dhe përkrahjen që iu kishte dhënë të Krishterëvet, premtoi më mirë për në t’ardhmen dhe kërkoi që të bashkohëshin të gjithë rreth tij kundër ushtërivet të Sulltanit. Aty çfaqi edhe mendimin se, po të delte fitimtar, do t’a bënte shtet të pavarur Shqipërinë (e cila do të përfshinte Epir e Thesali) kurse krahinat e Greqisë gjer në Moré mund t’organizohëshin në një shtet autonom nën mprojtjen e tij. Provoi edhe një herë të hidhte në kryengritje Eteristët grekë duke iu premtuar ndihmën edhe autonominë. Por Grekët nuk luajtën dhe pritën që rrebeshi turk të përplasej mbi Ali Tepelenën. Ky e kuptoi se rrethanat po e shtrëngonin të bënte lodrën e Grekëvet dhe se prej luftës së tij do të përfitonte kryengritja greke, por s’kishte tjetër udhë. Për të gjetur aliatë ose për t’i shkaktuar Turqisë trazime n’anë të tjera, dërgoi njerëz nëpër qendrat e Ballkanit, si në Mal-të-Zi, Serbi e Vllahi, duke iu bërë thirrje atyre popujve që të ngrihëshin kundër Stambollit. Thuhet se agjentët e tij arritën gjer në Persi, për t’a shtytur këtë në luftë kundër Turqisë.

Duke e pandehur fuqinë e Ali Pashë Tepelenës më të fortë se ç’ishte, Porta e Lartë dërgoi ushtëri të shumëta edhe e sulmoi pashallëkun e tij në disa drejtime të ndryshme nga toka dhe nga deti. Pothuajse të gjithë pashallarët e Ballkanit muarën urdhër për t’u nisur kundër Janinës. Kumandën e mprojtjes së Toskërisë prej Gjirokastrës deri n’Ohri, Ali Pasha ia ngarkoi të birit, Myftarit, i cili n’atë kohë ishte mytesarrif i Beratit. Kurse djalit të dytë, Veliut, i dha kumandën e mprojtjes së Thesalisë e Lepantit, nga juga. Por trupat më të zgjedhura t’Ali Pashës, rreth 15.000 vetash, ishin nën kumandën e Ymer Bej Vrionit dhe kishin zënë vend përkëtej lumit Aspropotamos, në jugë-lindje të Janinës, për të mprojtur qendrën e pashallëkut.

Nga veriu, ushtëritë turke, nën kumandën e valiut të Rumelisë, u nisën prej Manastirit në drejtim të Beratit. Zbriti gjer n’Elbasan edhe Mustafa Pashë Bushati, por mandej u detyrua të këthehej pas sepse Malazeztë sulmuan Shkodrën. I biri i Ali Tepelenës, Myftari, u tremb dhe u tërhoq në Gjirokastër pa bërë qëndresë të fortë. Nga juga, porsa fuqitë turke, nën kumandën e Dramalli Pashës dhe Pehlivan Pashës, iu afruan Thesalisë, çetat e martallozëvet grekë u larguan, i biri i dytë i Ali Tepelenës, Veliu, u tërhoq i trembur në Prevezë bashkë me kapedanët e tjerë shqiptarë. Turqit pushtuan pa mundim Thesalinë, Etolinë dhe Lepantin. Kur arritën në qendër të pashallëkut, Ymer Bej Vrioni, një aventurier që kishte qënë më parë në shërbim të Mehmet-Aliut t’Egjyptit, trathëtoi dhe u bashkua me ushtëritë e Sulltanit. Flota turke bllokoi Prevezën dhe krejt bregdetin e Epirit. Në gjirin e Prevezës ishte mbledhur edhe flota e Ali Pashës, e cila u dorëzua me trathëtinë e detarëvet grekë. Veli Pasha, i biri i Aliut, bëri një farë qëndrese në Prevezë, por më në fund si ai ashtu edhe i vëllaj, Myftari, që ndodhej në Gjirokastër, u dorëzuan bashkë me familjet e tyre. Turqit i mbajtën mirë në fillim dhe i shtynin t’i shkruanin Plakut që të dorëzohej edhe ai.

I mbetur vetëm, “luani” plak u mbyll në kështjellën e Janinës me disa mijëra ushtarë dhe me artilerinë, ku i qëndroi rrethimit një vit e gjysëm me një trimëri të jashtëzakonshme për moshën e tij afro tetëdhjetë-vjeçare. Bëri të gjitha përpjekjet, provoi të gjitha dhelpëritë, pa e humbur gjykimin as gjakftohtësinë, edhe i prapsi shumë herë sulmet e Turqvet duke i kumanduar ai vetë ushtarët e tij. Sipas zakonit, Ali Pasha u përpoq të shfrytëzonte mosmarrëveshjet ndërmjet kumandarëvet turq, të shtynte popujt e Ballkanit ne kryengritje dhe t’organizonte një qëndresë të përgjithshme në Shqipëri me anën e disa kapedanëve të tij, si Zylyftar Poda, Ago Vasiari, Tahir Abazi etj. Mundi të merrej vesh deri me Suliotët që po i ndihnin ushtërisë turke dhe t’i bënte për vehte duke iu premtuar këthimin e lirë në Sul. Këta, pasi shkëmbyen pengje me Ali pashën, u shkëputën prej Turqvet edhe u hodhën në luftë kundër tyre duke iu prerë udhët rreth Janinës. Grekët, nga ana tjetër, po gatitëshin për kryengritje. Porta e Lartë, e shqetësuar prej lëvizjevet në Ballkan, desh t’i jepte fund sa më shpejt qëndresës s’Ali Tepelenës. Prandaj, në Shkurt 1821, ia hoqi kumandën e fuqivet rrethonjëse Ismail Pasho Beut, i cili u provua i pazoti, dhe dërgoi në vend të tij ish-kryevezirin, Hurshid Pashën.

Por ngjarja m’e madhe ishte plasja e kryengritjes greke, në Mars 1821, e cila i hapte Ali Tepelenës mundësi të tjera vepërimi. Grekët e bënë forra porsa e panë se ushtëritë turke ishin mbërthyer keq kundër “luanit” të Janinës. Ali Pasha u vu t’a loste përsëri kartën e bashkëpunimit me Grekët duke e përdorur në të dy anët: mënjanë iu propozonte Grekëvet t’a njihnin “mbret” të tyren dhe ai merrte përsipër t’i çlironte nga zgjedha turke brenda pak kohe, n’anën tjetër i propozonte Stambollit se ai ishte në gjendje t’a shtypte kryengritjen greke në disa muaj nëqoftëse do të falej prej Sulltanit dhe do t’i njihëshin përsëri titujt e mëparshëm. Si çdo kryengritje, ashtu edhe ajo e Grekëvet ndeshi në shumë vështirësi. Prandaj tek një pjesë e kryengritësvet u krijua mendimi se mundësitë e lirimit do t’ishin më të mëdha sikur Greqia t’a bashkonte luftën e saj me atë të Shqiptarëvet dhe t’Ali Pashës, nën kumandën e këtij. Ata që mendonin kështu, parashihnin krijimin e një shteti greko-shqiptar (ose një federatë dy shtetesh) me Ali Pashën për mbret, por me kusht që ky të këthehej i krishter orthodoks. Natyrisht, ky mendim nuk gjeti pështetje në shumicën e Grekëvet as tek përkrahësit e tyre, Rusët. N’anën tjetër, edhe Stambolli nuk i mori parasysh propozimet e Ali Pashës dhe as që desh të tundej nga vendimet e tija.

Rrethimi i gjatë ua rrëzoi moralin luftëtarëve t’Aliut, të cilët nuk po shihnin më asnjë rrugë daljeje. Turqit jo vetëm që nuk hoqën gjë prej ushtërivet rrethonjëse të Janinës për t’i dërguar kundër Grekëvet, por prunë edhe fuqi të tjera. Mustafa Pashë Bushati, pasi e siguroi Shkodrën kundrejt Malazezvet, zbriti në Janinë me forcat e tija. Ushtarët Gegë t’Ali Pashës nuk deshën të luftonin kundër njerëzve të tyre që ndodhëshin me Bushatlinë. Disa lëvizje çetash, në Toskëri, u shtypën shpejt. Në Shtator 1821, Sulltan Mahmudi iu preu kokat djemvet dhe nipërvet t’Ali Tepelenës. Këtë e braktisën më në fund edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Mbeti vetëm me disa dhjetra njerëz besnikë. Por mbasi kështjellën e Janinës e kishte minuar me varrela baruti, e kërcënoi ushtërinë turke se do t’a hidhte n’erë nëqoftëse ajo bënte një çap për t’i hyrë brenda:

“Kush s’e njeh Ali Barunë?
– Lufton me Sulltan Mahmunë!”.

Hurshid Pasha, qoftë për të mos rrezikuar ushtërinë, qoftë për të kapur thesarët e Aliut, hyri në bisedime me të duke e gënjyer se dekreti i faljes ishte nënshkruar prej Sulltanit. Pastaj me shumë dredhi mundi t’a nxirte bashkë me të shoqen dhe disa besnikë në manastirin e Shën-Pandelejmonit, mbi një ishull të liqenit të Janinës, ku desh t’a kapte. Por Aliu u vra duke luftuar me armë në dorë, më 24 Jenar 1822. Koka e tij u dërgua në Stamboll, ku ndëjti disa ditë e varur përpara pallatit të Sulltanit.
Rënia e Ali Pashë Tepelenës pati pasoja historike të rendësishme jo vetëm në Shqipëri po edhe në tërë Ballkanin, ku filluan menjëherë lëvizjet kombëtare për shkëputjen nga Turqia. Të parët që përfituan, qenë Grekët. Kurse Shqiptarët nuk kishin akoma një ide kombëtare të lidhur mirë prandaj kryengritjet e tyre qenë të zgidhura, krahinore, dhe u shkrinë njëra pas tjetrës si zakonisht. Megjithatë, iu desh Turqisë të luftonte shumë kohë për t’a qetësuar gjendjen dhe për t’i futur deri diku Shqiptarët nën autoritetin e saj. Siç e pamë, Ali Pashën nuk e përkrahu populli. Ndërsa Kara Mahmud Bushati, që kishte qeverisur me urti, i pat bërë ballë Turqisë me përkrahjen e madhe që gjeti në Shkodër dhe në malësitë e veriut, Ali Pashë Tepelena, që sundoi si tiran, në çastin e rrezikut u braktis edhe nga rrethi i tij m’i afërm. Por shembja e tij shkaktoi një tronditje aq të madhe, sa që u ndie edhe shumë vjet më pas. Figura e tij i humbi vijat e shëmtuara të tiranit dhe u këndua me këngë popullore, jo vetëm në Shqipëri po edhe në Greqi. Përse të çuditemi? Popujt në përgjithësi adhurojnë më shumë forcën se sa moralin.

Pasi e mori kështjellën e Janinës, Hurshid Pasha me ushtërinë turke iu fut Shqipërisë së jugës ku punoi tmerre të mëdha. Vendi ra përsëri n’anarkinë e mëparshme. Kundërshtarët e vjetër t’Ali Tepelenës ngritën krye për të rifituar çifliqet dhe pozitat! Po edhe ish-përkrahësit e tij nuk donin t’i humbisnin pronat dhe pozitat e fituara. Të gjithë këta ishin kundër politikës përqëndronjëse të Turqisë që desh të zbatonte Sulltan Mahmudi. Më në fund, disa bejlerë dhe kapedanë shqiptarë që kishin shkuar për të shtypur kryengritjen greke, u kthyen kur e panë se kumanda e lartë turke nuk ishte në gjendje t’i paguante. E tërë Toskëria ndodhej në një trazirë të papërshkruarshme. Të zënë me kryengritjen greke dhe me planin e çfarosjes së jeniçerëvet, Turqit përkohësisht s’patën se ç’të bënin. Po kur lufta ruso-turke mori fund, më 1829, dhe Sulltani njohu pavarësinë e Greqisë, Porta e Lartë vendosi t’a shtronte Shqipërinë prej një çipi në tjetrin dhe ta fuste nën bindjen e plotë të Stambollit. Kumandën e vepërimevet ushtarake ia ngarkoi krye-vezirit, Mehmet Reshid Pasha, i cili e nisi fushatën me anën e një komploti. Ftoi në Manastir krerët e pabindur të Toskërisë gjoja për t’iu dhënë shpërblimet e prapambetura ose grada e nishane të reja për shërbimet që kishin bërë. Disa prej të ftuarvet, si Zylyftar Poda, Tafil Buzi, Çelo Picari, e të tjerë, dyshuan dhe nuk u paraqitën. Kurse atyreve që vajtën, gjithësejt pesëqind veta, Mehmet Reshid Pasha iu bëri një pritje madhështore, dhe pastaj gjatë një parakalimi ushtarak që kishte organizuar gjoja për nder të tyre, i vrau të gjithë, më 26 Gusht 1830. Po ashtu veproi edhe në Janinë i biri i Mehmet Reshid Pashës, Emin Pasha, i cili kishte thirrur në të njëjtën datë disa krerë të Çamërisë.

REFERENCE

1) Pjesa eshte shkeputur nga libri “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, Abas Ermenji, Shtypeshkronja Cabej, Tirane 1996. faqa 149- 163.