27 mars 1866 – U lind Çajupi – Nga: Zylyftar Hoxha

ÇAJUPI

27 mars 1866 – U lind Anton Zako (Çajupi), atdhetar, shkrimtar i madh i Rilindjes sonë Kombëtare

Andon Zako Çajupi lindi në Sheper të Zagorisë. Jetoi dhe vdiq në Egjipt. Mbiemri i tij i vërtetë ishte Çako, por që me kohë i mbeti Zako.
Në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati.
Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë.
Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat.
Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar.

Më 1909 botoi shkrimin e njohur “Klubi i Selanikut”, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.
Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare Çajupi e nisi punën letrare.
Më 1902 botoi librin”Baba Tomorri”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare.
Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij “Katërmbëdhjetëvjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes” (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë.
Çajupi u mor edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në “Baba Tomorri”, më 1921 nxori në dritë “Përralla të zgjedhura” të vjershëtarit të madh La Fonteni. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Dashuria

E mban mënd, moj Marë,
dashurin’ e parë?
Njeri nuk e gjegji,
se jeshmë te vegji.
Unë pa ty s’rrojë,
vij’ e të kërkojë;
tl pa mua s’rroje,
vij’ e me kërkoje.
Në lule me erë
putheshim ngahere,
dhe si burr’ e grua
losnim nënë ftua.
Një ditë, të dyza
losnim mbylla-syza:
U fshyem pa dukur
Cinë të besoj taninë,
perëndin’ a dashurinë?
Perëndi në këte jetë
është dashuria vetë.
——
Bukuria jote, leshërat e tua
posi pëndë korbi, të gjata
mbi thua,ballëtë si diell,
faqetë si mollë,qafa jot’ e gjatë,
mesi yt i hollë,sisëtë si shegë,
dhëmbët si thëlpënjë,buzët si
burbuqe, sytë si gështënjë,
dora si dëborë, fjala jote mjaltë,
kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë;
gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua,
po zëmëra jote u bë gur për mua!
—–
Pika-pika bie shiu
dhe dëbora flokë-flokë,
vetëtin e fryn veriu,
breshëri kërcet mi tokë!
Le të fryjë er’ e ftohtë,
s’ka ç’më bën dimëri mua:
Dashuria më mban ngrohtë,
se pushtoj atë që dua.
Kur fryn era me tallas,
kur bie dëbor’ e shi,
sa flë njeriu me gas,
kur ka mikenë në gji!

VINI RE!

Ndalohet riprodhimi i plot ose i pjeseshem i punimi pa lejen e autorit, kjo ne baze te Ligjit Nr. 35/2016, datë 31.3.2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to.