2 GUSHTI I DHIMBSHËM PËR BERATIN, PËR SHKODRËN DHE MBARË SHQIPËRINË – Nga: Pierre Simsia

20-të vjetë pa Kolonel Arben Zylyftari

* * *

KOLONEL ARBEN ZYLYFTARI
9 Maj, 1963 – 2 Gusht, 2000
2 Gusht, 2000 – 2 Gusht 2020

* * *

Njëzetë vjetë nga vrasja në Shkodër e djalit beratas, Kolonel, ARBEN ZYLYFTARI, Dëshmor i Atdheut.
Në këtë 2 gusht, 2020!

* *

Edhe pse kanë kaluar 20-të vite kur dora kriminale gjakatare shkrepi armën vrastare ndaj Kolonel Arben Zylyftarit, nuk dua ta besoj që Beni ynë, miku, shoku, bashkqytetari ynë nuk jeton më!!!
Arben Zylyftari bashkëqytetar, azgan, flori’ djalë, me virtytet më të larta njerëzore, me kulturë të lartë qytetare, ashtu siç janë të 8-të fëmijët, 7-të vëllezërit dhe motra e tyre e vetme, e prindërve shembullorë, të ndjerët Refije & Shuaip Zylyftari, shembull dhe krenari për Beratin dhe më gjërë… Arben Zylyftari, koloneli energjik dhe i suksesshëm në Korçë, në Vlorë, në Skrapar, në Lezhë, në Shkodër ku edhe iu pre jeta në mes në atë qytet në kulmin e moshës, te karierës, të sukseseve të tij në fundvitet 90-të, la një plagë të madhe tek të gjithë ata që patën fatin e madh ta njihnin, të punonin me të, të shikonin dhe të jetonin sukseset e tij ndaj kriminelëve dhe bandave kriminale që ishin përhapur në atë kohë pothuajse në të gjithë Shqipërinë.
Kolonel Arben Zylyftari ka lënë një emër të ndritur: Kolonel Arben Zylyftari ka qenë anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë.
Bashkia e Beratit, qyteti ku u lind dhe u rit e ka nderuar me titullin e lartë: QYTETAR NDERI Busti i Kolonel Arben Zylyftarit është vendosur në lulishten qendrore të Beratit.
Akademia e Policisë Shqiptare, mban emrin e kolonelit: ARBEN ZYLYFTARI
Kolonel Arben Zylyftari pas vdekjes, është vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Rexhep Mejdani, me Urdhërin: Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Unë personalisht, familja ime, qytetarët e Beratit, qytetarët e gjithë qyteteve ku punoi me vetmohim dhe përkushtim, nuk do ta harrojnë kurrë kolonelin e suksesshëm, i ndjeri ARBEN ZYLYFTARI.

* * *
Prehu i qetë në parajsën e përjetshme i dashur vëlla, shok, mik, bashkëqytetar i paharruar, Arben Zylyftari.
Lavdi përjetë emrit, punës dhe veprës tënde të ndritur.

* * *

Më poshtë po ripostoj shkrimin tim:

FAMILJA ZYLYFTARI NË BERAT, SHEMBULL CIVILIZIMI I KULTURËS QYTETARE, I DASHURISË VËLLAZËRORE…

* * *

Ata ishin tetë fëmijë, sot janë shtatë; njëri më i mirë se tjetri (siç thotë shprehja popullore)
Ata vazhdojnë të jenë të tillë, shembull i lartë qytetarie, shembull i dashurisë vëllazërore… Nëse ndokush do shkojë në Berat dhe të pyesë se ku ndodhet shtëpia e familjes Zylyftari, menjëherë kalimtarë të rastit të përgjigjen: – Kërkoni shtëpinë e të ndjerit Shuaip Zylyftari? Eh! Ç’zotni burrë ka qenë; i urtë, i nderuar! Inteligjent! Eh, ç’fëmijë të mbarë kanë lindur, kanë rritur dhe edukuar, ai dhe bashkëshortja e tij, ajo zonjë grua e rrallë, punëtore, e ndjera Refie… – Kërkoni shtëpinë e mësuese Sermasë? Serma Zylyftari? Ajo tani mban mbiemër tjetër, Serma Muhadri, sigurisht, sepse është e martuar, por, ne jemi rritur bashkë, kemi qenë shoqe klase me Sermanë, dhe me mbiemrin Zylyftari e kam për më kollaj ti thërras… – Cilën shtëpi kërkon? Shtëpinë e merceolog Vullnet Zylyftarit? I mrekullueshmi, i nderuari Vullnet Zylyftari! Kush nuk e njeh të mirin, të urtin, ikonën e alpinizmit në Berat dhe më gjërë intelektual Vullnetin bashkë me vëllain tjetër alpinist, Agim Zylyftari! “Shqiponjat e Malit Tomorr” janë quajtur nga vendasit dhe bashkqytetarët e tyre ata dy vëllezërit alpinista Vullneti dhe Agimi, pasi me sportin e tyre nuk kanë lënë vend dhe shteg pa e prekur atë mal të shenjtë. – Kërkoni shtëpinë e inxhinier Petrit Zylyftarit? Flori’ djalë është, kështu janë të gjithë ata fëmijët e Shuaipit, florinj djem. Ata sot janë rritur, janë burra, janë bërë baballarë, gjyshër, por ne e kemi më kollaj t’i thërrasim djem dhe, si për ta bërë më të lehtë vendndodhjen e shtëpisë së Zylyftarajve, të orientojnë me shtëpinë e Doktor Dishnicës, (Ymer Dishnica) ose me shtëpinë e mjekut Abdulla Nallbani, fqinjë të familjes Zylyftari që edhe ata intelektualë të nderuar kanë lënë emër të ndritur në Berat, në spitalin rajonal të qytetit ku punuan një jetë të tërë. – Cilën shtëpi kërkon, shtëpinë e ekonomist Agimit, të Vladimirit, të doktor Edmond Zylyftarit, të Robertit, apo… Heshtje! Një heshtje e dhimbshme e shoqëruar me ulje të kokës si për të mos dhënë përgjigje. Pas një psherëtime të thellë dhe lëvizje të kokës majtas djathtas, mendueshëm, me zë të dridhur, sikur ai zë nuk dënjon të përgjigjet, por, pas asaj heshtjeje, përgjigjja vazhdon të jetë e ngadaltë, e dhimbshme: – Kërkoni shtëpinë e të ndjerit kolonel Arben Zylyftari që u vra në krye të detyrës në Shkodër? – Hhhhhhhhhhh! – Ofshamë! Dhe, përsëri, pas një heshtje, po me të njëjtin zë të dhimbshëm, të përgjigjet: – Ja, atje është shtëpia e kolonel Arbenit, dhe shtrin dorën si shenjë treguese për nga Varrezat e Dëshmorëve të Beratit që ndodhen buzë rrugës, pranë bulevardit kryesor në lagjen e njohur nga qytetarët beratas, “Murat Çelepias” pranë Urës së Gorricës. Sepse, për ironi të fatit, banesa e përjetshme e kolonel Arben Zylyftarit, Varrezat e Dëshmorëve të qytetit, ndodhet fare pranë banesës së familjes Zylyftari. Ç’dhimbje e madhe! Ç’gjëmë i ra asaj familje, atyre prindërve shembullorë, asaj motre të vetme të dhimbsur, atyre gjashtë vëllezërve që u ritën me një dashuri vëllazërore si asnjë dashuri tjetër me njëri tjetrin. Ç’dhimbje të madhe ndjeu ai qytet i gurrtë, i lashtë sa vetë historia, ata qytetarë të ndershëm, të urtë, punëtorë e mikpritësa si vetë bujaria shqiptare! Ç’dorë e zezë kriminale shkaktoi plagën në zemrat e familjarëve, në zemrat e mbarë qytetarëve beratas…!!! Dhimbja do ndihej edhe më shumë therrëse në familjen Zylyftari, ndërsa ata të gjithë së bashku do mblidheshin për ndonjë gëzim familjar në shtëpinë e tyre ku u lindën dhe u rritën, por që nuk u qeshte buza! Ajo qeshje, ai gëzim u kishte ngrirë në buzët, në zemrat e tyre! Mungonte fizikisht biri i pazëvendësueshëm, vëllai i paharuar, bashkëshorti i respektuar, babai i dashur i dy fëmijëve që la pas, i ndrituri Arben Zylyftari. * * * Ata ishin tetë fëmijë, të lindur nga dy prindër shembullorë, punëtorë, atdhetarë, njerëz të nderuar, të shumërespektuar: Refije dhe Shuaip Zylyftari, banorë të qytetit Berat. Ata ishin tetë fëmijë, por, nuk ishte e lehtë në ato vite të rrisje dhe të edukoje tetë fëmijë shembullorë, tetë yje që të shkëlqenin në lagje, në shkollë me rezultate të larta në mësime, në qytet me sjelljet e tyre shembullore, që të shkëlqenin në marëdhëniet me shokët dhe shoqet, të shndrisnin në dashurinë e tyre vëllazërore, dashuri hyjnore që vazhdon të mbretërojë edhe në ditët e sotme, ajo dashuri e zjarrtë vëllazërore që do ta dëshironte çdo familje shqiptare. Kryefamiljari, shtylla e shtëpisë e familjes Zylyftari, baba Shuaipi, kishte si moton e vet, madje e kujtonte shpesh në jetën e tij, atë çfarë i kishte mësuar babai i tij: “Njeriu në jetë kaloka nëpërmjet dy fazave të mëdha. Kur vlerësohet nga kredia shoqërore, nga ato vlera që të kanë lënë të parët nëna dhe babai dhe, së dyti, nga ajo që krijon me punën dhe sjelljen e vet”. Dhe këto dy gjëra të çmuara, babai i mirë Shuaip Zylyftari gjatë gjithë jetës së tij, u mundua që t’i shkrijë bashkë. Çdo njeri që e njeh familjen Zylyftari dhe fëmijët e asaj familje, me të drejtë edhe pyesin: Si i rritën ata dy prindër ata tetë fëmijë kaq të mirë, kaq të edukuar, vetëm me dy rrogat e tyre modeste?! I rritën me punën e tyre të ndershme, madje edhe të rëndomtë, me shumë sakrifica ia dolën mbanë që të shkollonin fëmijët e tyre. Gruaja e urtë dhe punëtore, zonja e shtëpisë, nëna e mrekullueshme, e mira nënë Refija e vuajtura në jetë, do punonte në punën e rëndë dhe të vështirë, në ndërmarjen e ndërtimit në qytet ku gatuhej llaçi dhe betoni. Lodhej, lodhej shumë në punë, por ajo duhet të punonte me mund e sakrifica vetëm e vetëm që fëmijët e saj të shkolloheshin, të dilnin në jetë ashtu siç i dëshiron çdo prind fëmijët e tij, ashtu siç edhe ata dolën, intelektualë. Çfarë janë mundi, lodhja, sakrifica e një nëne, e çdo prindi në jetë, kur sheh fëmijët e tyre të shkëlqejnë, të jenë të respektueshëm, të dashur me njëri tjetrin, me shoqërinë! Ata bij të mbarë kanë gjënë më të shenjtë të jetës, që çdokush do e dëshironte, ata kanë dashuri të çeliktë vëllazërore me njëri tjetrin, ndaj motrës së tyre të vetme. Sigurisht, për të rritur tetë fëmijë është mund dhe sakrificë e madhe, por, dy prindërit e mrekullueshëm Refije & Shuaip, përveç dashurisë prindërore tek fëmijët e tyre, ushtruan edhe autoritetin e tyre me rregullat dhe disiplinën familjare që u transmetua tek ata tetë fëmijë. Dhe ishte ai rregull, ajo disiplinë e “rreptë” që u ushqyen që në vegjëli ata fëmijë të mbarë. Rrallë gjen familje, fëmijë të tillë që atë dashuri vëllazërore të edukuar, e lënë trashëgim si amanet nga prindërit e tyre, të vazhdojnë ta ruajnë të pastër si kristal edhe tani në moshë madhore edhe pse janë bërë gjyshe dhe gjyshër me nipër dhe me mbesa. Ata janë shembull civilizimi, shembull qytetarie për cilindo. Ata janë shembull i kulturës qytetare. Rrallë gjen tetë kunata të mrekullueshme inteligjente, siç janë vajza e vetme dhe shtatë nuset e djemve të familjes ZYLYFTARI, të kenë harmoni, respekt, vlerësim ndaj njëra tjetrës, ndaj miqve, ndaj shokëve, si të jenë tetë motra të dashura të lindura nga të njëjtët prindër biologjikë. Ajo derë shtëpie është përherë e hapur për të gjithë vëllezërit dhe motrën edhe pse ata janë larguar dhe kanë ndërtuar jetën në shtëpitë e tyre të reja. Ajo derë shtëpie vazhdon të mbetet përherë e hapur për të gjithë, si amanet i lënë nga dy prindërit, që po kryet nga nusja e djalit të asaj shtëpie Doktor Edmondit, zonja e nderuar Valbona. Kujdesi që tregon ajo në mirëmbajtjen e shtëpisë, madje edhe vazot e luleve në avllinë, oborin e shtëpisë, vazhdojnë të jenë në po të njëjtin vend, të lulëzuara, ashtu siç i donte dhe i kishte vendosur nënë Refija, si për t’u thënë vëllezërve kunetër, se ata, prindërit, jetojnë akoma mes nesh në këtë shtëpi.

* * *
Vargje, vaje nga familjarët e të ndjerit Kolonel, Arben Zylyftari në 20-të vjetorin e rënies në krye të detyrës.

Atë ditë dy Gushti
Qielli krejt u nxi
Shkodra, Shqipëria
U gdhinë në zi.

Lajmi mori dhenë,
Derdhi lot Skrapari,
Kishte rënë një lis
Arben Zylyftari.

Njëzet vjetë më parë
Atë dy gusht të zi
Buna dhe Osumi
Lotët derdhën shi.

Njëzetë vjetë më parë
Shkodra qau me lot
Lotët mbarë Shqipëria
Nuk i mbajti dot.

Asaj dore barbare
Gishti si s’ju këput
Kur lisin – Arben
E shtriu në tabut?!

Pabesia e krimit
Një gjarpër në gji
I keputi rrënjët
Një lisi të ri.

Atij djali – lis
Me rrënjë në Spatharë
Këngë i thurrrën gurrët
Malet në Skrapar.

Plumbi i mallkuar
S’vrau një kolonel
Ai shoi një dritë
Ai rrëzoi nje diell.

Arben Zylyftari
Lisi që s’ka rënë
Ai është me këmbë
Me degë e me rrënjë.

Tani pas kaq vitesh
Drita është e bardhë
“Dardha” që la Beni
Ka rënë nën dardhë.

Femijët si yje
Ndrijnë e yllëzojnë
Në çdo hap që hedhin
Me Benin jetojnë.

Filizat u rritën
Lisi u ngrit më këmbë
Arben Zylyftari
Asnjëherë s’ka rënë.

Në mes të Beratit
Përmendorja ndrin
Se heronjtë e heshtur
Përherë zgjuar rrinë.

Ne bronxin e ftohtë
Qendron vigjilent
E desh’ shumë Beratin
Shumë e desh’ këtë vend.

Arben Zylyftari
Syri i Shqiponjës
Gjithmonë syshqiponjë
Do t’i qendrojë kohës.

REFERENCE
1) Shkrimi eshte mare nga rrjeti social “Fejsbuk” i postuar nga zoti Pierre Simsia ne grupin “Fjala jonë e lirë”